Një grua shtatzënë ka ndërruar jetë pasditen e sotme në Spitalin e Gjilanit. Ajo ishte në ditët e fundit të shtatzënisë, por gjendja iu përkeqësua sot dhe si pasojë ka vdekur por fatmirësisht mjekët kanë arritur t’ia shpëtojnë foshnjën
E ndjera kishte qenë shtatzënë dhe po i priste ditët e fundit për ta sjellë në jetë foshnjen e gjinisë mashkullore.
Por situata u komplikua në orët e para të pasdites së diel, 27-vjecarja kishte pasur marramendje dhe me simptoma të tilla u dërgua nga familjarët për në spitalin e Gjilanit. Por rrugës, gjendja shëndetësore e saj u përkeqësua.
Për këtë rast, detaje për Gazetën Express, ka dhënë drejtori i spitalin Rajonal të Gjilanit, Nysret Hajrullahu. Ai ka deklaruar se për fat të keq nëna ka vdekur, por foshnjën doktorët kanë arritur që ta nxjerrin të gjallë nga barku i nënës.
“Fëmija u nxor i gjallë nga barku i nënës. Ajo erdhi tek ne pa parametra vital. Fëmija ende kish pas ritëm, mjekët menjëherë e kanë reanimuar dhe kanë arritur që ta mbajnë në jetë foshnjën e gjinisë mashkullore. Shtatzëna në spital ka ardhur pa parametra vital, pa shenja jete. Kirurgët në Klnikën Emergjente të gjithë menjëherë kanë intervenu, por fatkeqësisht nuk mundi që të mbijetojë”, ka deklaruar për Express Hajrullahu.
Ai ka thënë se ende nuk mund të dihet shkaktari i vdekjes së 27-vjecares. Familja e së ndjerës nuk kanë pranuar që t’i bëhet obduksioni.
“Familjarët nuk pranuan që t’ia bëjnë obduksionin dhe nuk po mund të dihet shkaktari i vdekjes së saj. Ajo tek ne ka ardhur pa shenja jete. Fëmija është në gjendje stabile”, ka thënë tutje drejtori i spitalit rajonal të Gjilanit.