Gjinekologia Gjina Zeqiri dhe “Global Hospital”, kanë paditur spitalin “Bahçeci” dhe drejtorin e saj, Sedat Akbay për shpifje dhe fyerje ndaj tyre. Sipas padisë, Akbay në vitin 2015, në deklaratë per media kishte thënë se në “Global Hospital”, janë bërë punë ilegale dhe se drejtoresha e këtij spitali tani paditësja Zeqiri sipas tij, ka mashtruar dhe gënjyer pacientët, duke mos u ndihmuar deri në fund me tretmane të infertilitetit.
Përmes padisë së ushtruar më 19 nëntor 2015, paditësja Gjina Zeqiri dhe spitali “Global Hospital” sh.p.k, kanë paditur spitalin “Bahçeci Healthcare” sh.p.k, dhe drejtorin e tij Sedat Akbay për shpifje dhe fyerje pasi pretendojnë se u është shkakuar dëm material dhe jomaterial.
Në padi thuhet se paditësja Zeqiri është gjinekologe me profesion dhe ka shumë përvojë të gjatë në këtë lëmi, veçanërisht në lëmin e fertilizimit in vitro (IVF), ku këtë lëmi thuhet se e ka ushtruar në spitalin “Global Hospital” Sh.p.k.
Bazuar në padi më 20 nëntor 2015, drejtori i spitalit “Bahçeci Healthcare”, Sedat Akbay ka dhënë deklaratë për media ku ndër të tjera thuhet se kishte thënë se ata po i trajtojnë 38 pacientë të spitalit “Global Hospital”, ku 14 prej tyre thuhet se kishin dështuar pasi që embrionet e tyre ishin prishur.
“Janë në pyetje 14 pacientë që u janë prish embrionet, është me rëndësi me këta pacientë çka mundemi me bo. Nëse këta pacientë duan normal të mbesin shtatëzënë dhe mos të bëjnë përcaktimin e gjinisë me donacion, nëse duan të marrin tretmanin e infertilitetit dhe nëse duan të vazhdojnë në Kosovë në një spital me licencë që kanë sukses, duhet të presin vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Prap kemi me u konsultu me pacientë dhe kemi me vazhdu me pacientë është më mirë për këta pacientë”, thuhet në padi.
Më tutje në padi thuhet se i padituri Akbay kishte deklaruar se tani paditësja Zeqiri kishte mashtruar e gënjyer pacientët pasi që e njëjta kishte bërë planet që të mos qëndroj me ta deri në fund si dhe e njëjta nuk ishte shqetësuar fare për këta 14 pacient që kishin dështuar.
“Ne kemi vërejtur që nuk po na ndihmon, në atë ditë kur kemi bërë tërheqjen e qelizave është ndalur rryma aty, një spital duhet paraprakisht me u bo gati me agregate, një spital nuk guxon me thënë se është ndal rryma dhe janë prishë embrionet se nuk jemi duke banuar në shtëpi por jemi në spital dhe ka përgjegjësi, duhet me u ruajt ato embrione, kur ndalet rryma edhe frigoriferi ku rrijnë embrionet fillon me u nxehë”, thuhet në padi, ku pretendohet se Akbay kishte dhënë këtë deklarim për media.
Ndërsa sa i përket spitalit “Global Hospital”, sipas padisë tani i padituri Akbay në deklarimet për media ka thënë se nuk ishin regjistruar në mënyrë të rregullt pacientët gjë që e vështirson punën e tyre që duan të ndihmojnë si dhe ky spital sipas tij nuk i plotëson kushtet për trajtime të tilla pasi që punon me aparaturë të vjetër prej 20 vitesh.
Të gjitha këto deklarime sipas padisë janë publikuar në portalin “KosovaPress” dhe në “Koha Ditore”.
Sipas padisë në rastin konkret të paditurit kanë publikuar shpifje dhe fyerje sidomos për tani paditësen Zeqiri, e të cilat nuk kanë asnjë mbështetje faktike mirëpo të gjitha këto thuhet se janë bërë me motive të dëmtimit të kundërligjshëm të konkurencës së tyre në treg.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në betimiperdrejtesi.com