Në klinikën e Gjinekologjisë që 2 vite mungon shërbimi i laparaskopisë, për shkak të prishjes së aparaturës.
Drejtoresha e klinikës, Myrvete Paqarada, thotë se aparati që e kanë pasur më herët është prishur dhe tashmë është vjetruar, shkruan Gazeta Shneta.
“E patën ble një aparat para disa viteve dhe ai madje nuk ka qenë me specifika siç e kemi kërkuar. I njëjti është prishur para 2 viteve dhe deri më tani përkundër kërkesave nuk është ndërmarr asgjë”, ka deklaruar Paqarada.
Ajo thotë të ketë dërguar kërkesë disa herë në SHSKUK, por asnjëherë nuk ka marr përgjigje pozitive.
“Gjithmonë janë arsyetuar se nuk kanë mjete”.
“Kjo aparaturë do të na lehtësonte punën shumë, sepse nuk do të kishim nevojë të bënim ndërhyrje të hapura, por do të kryheshin me laser”, ka thënë Dr. Paqarada.
Drejtoresha pohon se ka kërkesa të mëdha për këtë aparaturë, dhe gratë po detyrohen të shkojnë në spitale private për këtë shërbim.
Tejkalimin e kësaj gjendje e ka premtuar U.D. i Drejtorit të SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu. Ai është zotuar se pacientët së shpejti nuk do të kenë nevojë të shkojnë në spitale private dhe jashtë shtetit.
Por duket se për laparaskopi, nuk është as afër të përmbushet ky zotim. Kjo për shkak se SHSKUK-ja, thotë se është në pritje nga Qeveria që të realizojë kredinë 50-milionëshe të aprovuar nga Këshilli për Investime si dhe rritjen e buxhetit, që të investojë në këtë aparaturë.
“Tashmë qeveria e tanishme e ka prioritet shëndetësinë dhe ka premtime se më 2018 do ketë rritje të dukshme të buxhetit. Tanimë jemi në fundvit buxhetor dhe presim që në vitin 2018 që do do hymë do ketë investime në aparaturë, përfshirë edhe aparatura e laparaskopisë në gjinekologji”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të SHSKUK-së.
Sikur Gjinekologjia të kishte në funksion laparaskopinë, gratë do të mund të trajtonin heqjen e kisteve të ovarit, heqjen e miomave të mitrës, kontrollin e kalueshmërisë tubare, ligaturën tubare, heqjen e mitrës.
Poashtu diagnostikimin e shtatzënisë jashtë mitrës, sëmundjet inflamatore pelvike, kancerin e organeve riprodhuese, etj.
Për të gjitha këto shërbime, gratë janë të detyruara të bëjnë operacione të hapura në Gjinekologji, apo të zgjedhin spitalet private të cilat varësisht nga trajtimi, çmimet variojnë nga 1 deri në 3 mijë euro. /Gazeta Shneta/