Disa spitale në Kosovë po dyshohet se po përfitojnë shuma të majme duke bërë biznes me shitblerje e transplantim të qelizave. Para dy ditëve në Gjakovë, u arrestua gjinekologu Afrim Muhaxheri e një nga punonjëset e tij nën dyshimet e njëjta. Rastet si ky i Muhaxherit nuk janë të pakta në vend
Gjinekologu Afrim Muhaxheri e një nga punonjëset e ordinancës që ai ka në Gjakovë, Blerina Bojaj, u arrestuan të martën nga Policia e Kosovës, nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore”.
Në spitalin e quajtur “Fati Im”, që ka ordinancë përveç në Gjakovë edhe në Prishtinë e Prizren, pas hetimeve nga Sektori Qendror i Hetimeve – Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor e policinë, u organizua një aksion, që rezultoi me arrestimin e Muhaxherit e motrës medicinale, Bojaj.
Dyshimet janë se qelizat e disa personave iu shitën në vlera shumë të mëdha të parave personave të tjerë, te të cilët bëhet transferimi i embrionit. Kjo u bë e ditur edhe përmes një komunikate për media të dërguar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
“Policia e Kosovës, konkretisht, Sektori Qendror i Hetimeve – Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente në Gjakovë, kanë realizuar një plan taktik në një spital në Gjakovë”, thuhet në njoftim.
Derisa, është bërë e ditur se përveç se arrestim të këtyre dy personave, janë sekuestruar edhe dokumentacione të ndryshme, lidhur me rastin që do të përdoren për procedura të mëtejme.
Mësohet se gjinekologu i arrestuar ka mohuar para organeve të hetuesisë se ka bërë shitblerje me qeliza njerëzore, duke kundërshtuar këto akuza që rëndojnë mbi të, edhe pse mësohet se dyshimet janë të bazuara mirë. Spitali ‘Fati Im’ është i lincencuar nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer edhe këtë shërbim.
Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, ku është aprovuar koncept-dokumenti për Fushën e Shëndetit Riprodhues dhe Fertilizimin e asistuar, shkruhet se në Kosovë për shkak të mungesave të evidentimit nuk dihen përmasat e problemit me shëndetin riprodhues, derisa saktësohet se në disa klinika të licencuara nga MSH ofrohet edhe Fertilizimi i Asistuar Mjekësor.
Janë gjashtë spitale në vend që kryejnë këtë shërbim, derisa tregohet edhe numri i personave që janë raportuar për fertilizim të asistuar.
Muaj më parë, Policia e Kosovës pati kryer edhe disa operacione nëpër klinika nën dyshimet e njëjta. Kontrollimi në një klinikë private pati rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar për këtë vepër penale.
Ndërkaq, në Cagllavicë një muaj më parë u arrestuan dy shtetas të huaj dhe një nga Kosova edhe këta nën dyshimet se kanë bërë transplant të kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore
Inspektorati i Shëndetësisë në anën tjetër pati deklaruar se bëjnë inspektime dhe sipas nevojës aty ku ka dyshime për shkelje të ligjit bëhen inspektime specifike. /GazetaExpress