Ortopedia e fëmijëve është lëmi, e cila merret me diagnostikimin, mjekimin dhe prevenimin e sëmundjeve dhe lëndimeve të sistemit osteomuskular si dhe pasojave të tyre të fëmijët dhe adoleshentët.
Dallimi kryesor nga ortopedia e të rriturve është prania e pllakës së rritjes dhe me të edhe vet rritjes dhe zhvillimit të fëmijët dhe adoleshentët. Me 1741, Nicholas Andry, profesor në Universitetin e Parisit, ka publikuar traktatin duke përshkruar metoda të ndryshme të prevenimit dhe korrigjimit të deformimeve të fëmijët. Njohja e rritjes dhe zhvillimit normal dhe të çrregulluar është vitale për të kuptuar ortopedinë e fëmijëve.
Sistemet e organeve të trupit zhvillohen gjatë periudhës embrionale
Që nga fillet në shekullin XVlll, pjesa më e madhe e ortopedisë i është përkushtuar fëmijëve si dhe mjekimit të deformimeve të ekstremiteteve dhe kolonës vertebrale, prej të cilave një numër i madh kanë qenë deformimet e fituara për shkak të deficiencës së vit D rahitisi si dhe tuberkuloza.
Për shkak të zhvillimit të dobët të terapisë fizikale deformimet dhe kontrakturat kanë qenë më të shpeshta dhe më të theksuara të fëmijët me paralizë cerebrale dhe sëmundjet dhe dëmtimet tjera neuromuskulare. Revolucion në trajtimin konzervativ (jooperativ) në ortopedinë e fëmijëve ka sjellë zbulimi i fashove të gipsit nga mesi i shekullit XlX.
Meritat e mëdha në avancimin e mjekimit konservativ sidomos të çrregullimit zhvillimor të kërdhokullave me anë të repozicionit dhe imobilizimin me fashon e gipsit e ka ortopedi vjenez nga fundi i shekullit XlX dhe fillimi i shekullit XX Karl Lorenz.
Zbulimet në anestezion dhe teknikat e asepses dhe i dezinficientëve kanë përparuar dhe hapur mundësi të reja në trajtimin operativ të deformimëve dhe lëndimeve të fëmijët kurse zbulimi i rendgenit ka avancuar dukshëm diagnostikën.
Në vitet e 50ta të shekullit XX ortopedi rus Ilizarov zhvillon teknikën e vet të zgjatjes dhe korrigjimit të ekstremitetëve me anë të histogjenezës përmes traksionit dhe fiksatorit të jashtëm cirkular. Zbulimi i diagnostikës ekografike nga fundi i viteve të 70ta të shekullit XX ka mundësuar zbulimin e hershëm dhe prenatal të deformimeve të sistemit osteomuskular.
Pes equinovarusi (shputa e shtrembër) është deformitet kompleks i shputës.
Ortopedia e fëmijëve modernë sot shfrytëzon të gjitha të arriturat e lartpërmendura mjekësore dhe shkencore dhe ortopedia e fëmijëve në shumë vende por edhe në vendin tonë është subspecialitet i veçantë ortopedik.
Ortopedët e fëmijëve sot i kanë shoqatat nacionale, evropiane madje dhe botërore. Baza e diagnostikës në ortopedinë e fëmijëve dhe mëtej është anamneza dhe ekzaminimi klinik, ndërsa nëse fëmija është i vogël na ndihmon heteroanamneza e marrë nga prindërit. Diagnostika ultrasonografike është metoda bazike e shoshitjes (screeningut) së kërdhokullave për zbulimin e hershëm të çrregullimit zhvillimor të kërdhokullave te të porsalindurit.
Detektimi i hershëm i çrregullimit zhvillimor të kërdhokullave përmes ultrasonografisë.
Ultratingulli detekton efuzionet nyjore dhe ndryshimet në indet e buta si dhe në sipërfaqen e kockës. Rendgeni edhe mëtej është njëra ndër metodat bazike diagnostike në ortopedinë e fëmijëve. Metodë diagnostike me vlerë në ortopedinë e fëmijëve në zbulimin e proceseve inflamatore dhe atyre tumorale është scintigrafia e skeletit me tehnecium.
Mungesë e rendgenit, scintigrafisë dhe sidomos tomografisë së kompjuterizuar (një formë të rendgenit) është rrezatimi jonizues. Rezonanca magnetike është metodë e shkëlqyer e inçizimit me rezolucion të lartë dhe nuk ka rrezatim jonizues por mungesa e saj të fëmijët është kohëzgjatja prandaj shpeshherë të fëmijët nevojitet sedimi (sedacioni) ose anestezioni i përgjithshëm.
Sa u takon metodave të mjekimit është shënuar përparim i madh si në trajtimin me metoda konservative ashtu dhe ato operative. Te metodat konservative ka tendencë të shkurtohet kohëzgjatja e mbajtjes së gips imobilizimit dhe aplikimi i ortozave sa më të rehatshme.
Sa u takon teknikave operative është tendencë e aplikimit të procedurave mikroinvazive dhe endoskopike si dhe ndërhyrjeve në pllakat e rritjes. Në mjekimin e deformimëve angular në vend të osteotomive klasike me prerje të madhe dhe fiksatorëve të jashtëm gjithnjë e më shumë po përdoren procedurat mikroinvazive të kontrollit të rritjes ku në njërën anë të pllakës së rritjes vendosën implantët dhe në këtë mënyrë ngadalësohet rritja në njërën anë të pllakës së rritjes, kurse rritja në anën e pa operuar e korrigjon deformimin.
Në mjekimin e frakturave të fëmijët kemi lëvizje nga aplikimi i metodave konservative me imobilizim afatgjatë nga metodat operative sidomos fiksimit elastik stabil intramedular. Në kockat e gjata të ekstremiteteve futen shtiftet intramedulare nga çeliku ose titani që paraprakisht lakohen, pas vendosjes në kockë shtiftet kanë tendencë të drejtohen dhe në këtë mënyrë e fiksojnë kockën.
Tani janë në përdorim gjeneratat e reja të fiksatorëve të jashtëm të cilët mundësojnë që pas osteotomisë me anë të planifikimit kompjuterik që kocka e deformuar të drejtohet në të tri rrafshët dhe njëkohësisht të zgjatët. Në punën e vet ortopedët e fëmijëve bashkëpunojnë me lëmi tjera mjekësore dhe jo mjekësore: fizioterapeutin, pediatrin, radiologun, kirurgun pediatrik dhe plastik, psikologun etj. Autor: Prof .Dr. Cen Bytyqi