Gjykata Kushtetuese sot e ka shpallur kundër kushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e komunës së Prizrenit “zonë karantinë” më 12 prill. Kushtetuesja vendimin e saj e arsyetoi se Ligji për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse përcakton se MSH me rekomandim të IKPSHK-së mund të urdhërojë karantinë vetëm për persona fizik e jo për komuna.
“Gjykata qartësoi se ‘karantina’ sipas Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, mund të urdhërohet nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit të IKSHPK-së, vetëm për persona fizikë për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me personat e sëmurë apo të dyshuar për sëmundje ngjitëse. Rrjedhimisht, Vendimi për shpalljen e Komunës së Prizrenit ‘zonë karantinë’, u shpall jokushtetues”, thuhet në pikën 11 të vendimit të Kushtetueses, transmeton Gazeta Shneta.
Për këtë vendim të Gjykatës ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka thënë se vendimi për futjen në karantinë të komunës së Prizrenit është marr me rekomandim të IKSHPK-së.
“Të gjitha masat që kemi marrë vijnë si rekomandim direkt i IKSHPK-së. IKSHPK ka konsideruar që Prizreni konsiderohet i infektuar ose drejtpërdrejt i rrezikuar nga përhapja e infeksionit COVID-19”, thuhet në reagimin e MSH-së.
MSH ka akuzuar opozitën se ua ka bërë të pamundur punën në kohën e pandemisë duke refuzuar bashkëpunimin në nismat legjislative. /Gazeta Shneta/