Një gjykatë në qytetin Besançon, në lindje të Francës, ka shpallur Frederic Pechier fajtor për helmimin e qëllimshëm të pacientëve duke kontaminuar qeset e infuzionit me substanca që shkaktuan arrest kardiak ose hemorragji. Ky rast ka tronditur komunitetin mjekësor francez dhe ka shkaktuar reagime ndërkombëtare për shkak të natyrës dhe numrit të viktimave.
Historia e këtij krimi të tmerrshëm nisi që në vitet 2010, kur autoritetet mjekësore në spitalin ku punonte Pechier vunë re një numër të pazakontë incidentesh gjatë operacioneve rutinë.
Hetimet e mëvonshme zbuluan se Pechier kishte kontaminuar qëllimisht qeset e infuzionit, duke përdorur lëndë toksike që shkaktonin arrest kardiak ose hemorragji. Për shkak të metodave të sofistikuara të helmimit, incidentet u konsideruan fillimisht si gabime mjekësore ose komplikacione të zakonshme, duke shtuar tragjedinë e rastit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Ndër viktimat ishte edhe një fëmijë 4-vjeç, i cili mbijetoi pas dy arrestesh kardiake gjatë një operacioni rutinë, dhe pacienti më i moshuar ishte 89-vjeç.
Në total, 12 pacientë humbën jetën, ndërsa të tjerët pësuan pasoja serioze shëndetësore. Lajmet ndërkombëtare e kanë quajtur Pechier si “Doctor Death”, duke e cilësuar një nga rastet më tronditëse të helmimit në historinë moderne të spitalit francez.
Procesi gjyqësor zgjati disa javë dhe përfshiu dëshmi të detajuara të stafit spitalor, familjarëve të viktimave dhe ekspertëve mjekësorë. Gjatë seancave, u paraqitën prova mbi veprimet e qëllimshme të Peicher, duke përfshirë analizat toksikologjike dhe dëshmitë e infermierëve që vunë re sjelljen e dyshimtë të anesteziologut.
Gjykata vendosi burgim të përjetshëm për Pechier, duke e shpallur fajtor për veprime kriminale që shkatërruan jetët e pacientëve dhe tronditën besimin në sistemin shëndetësor francez. Autoritetet theksuan rëndësinë e monitorimit rigoroz të stafit mjekësor dhe kontrollit të barnave në spitale, për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Ekspertët shëndetësorë dhe organizatat për mbrojtjen e pacientit kanë kërkuar implementimin e rregullave më strikte mbi administrimin e barnave dhe kontrollin e stafit, duke theksuar se ky rast shënon një nga episodet më të tmerrshme në historinë moderne të kujdesit mjekësor në Francë. Familjarët e viktimave dhe komuniteti mjekësor shpresojnë që vendimi i gjykatës të sjellë drejtësi dhe ndërgjegjësim për sigurinë e pacientëve. /Gazeta Shneta/


