Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për “kanosje” dhe “lëndim të lehtë trupor” ndaj gjinekologut, Afrim Veliu.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi për Indeksolinen.
Theksojmë se disa ditë më parë Policia e Kosovës arrestoi njërin nga të dyshuarit e përfshirë në rastin e sulmit fizik ndaj gjinekologut, Afrim Veliu dhe në rastin e vendosjes së granatës së dorës në hyrje të ordinancës së tij.
Gjatë bastisjes në vendbanimin e të dyshuarit prokuroria ka njoftuar se ka sekuestruar një telefon celular, një palë rroba sportive dhe një çip, që dyshohen se janë përdorur dhe kanë lidhje me rastin.




