Autoritetet evropiane kanë goditur dy rrjete ndërkombëtare kriminale me bazë në Spanjë, duke sekuestruar 20 milionë cigare dhe 38.4 tonë gjethe dhe duhan të grirë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes disa vendeve evropiane, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Europol-it.
Sipas OLAF-it, aksioni çoi në shkatërrimin e një zinxhiri të paligjshëm furnizimi me cigare, me vlerë të vlerësuar rreth 10 milionë euro. Grupet kriminale dyshohet se merreshin me prodhimin, shpërndarjen dhe trafikimin e produkteve të falsifikuara të duhanit, shkruan burimi Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Muajin e kaluar, autoritetet kryen 23 kontrolle në banesa, objekte tregtare dhe depo industriale në provincat spanjolle Alicante, Cuenca, Huelva, Murcia, Sevilla dhe Toledo.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu 18 automjete, pajisje për prodhimin e duhanit, pajisje elektronike të koduara, 170 mijë euro para të gatshme dhe disa armë zjarri.
Në total u arrestuan 50 persona, përfshirë dy të dyshuar që më pas iu dorëzuan autoriteteve polake.
Operacioni u realizua nga Garda Civile e Spanjës, Byroja Qendrore e Hetimeve e Polonisë, Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë, Byroja e Policisë Kriminale të Lituanisë, OLAF dhe Europol.
Drejtori i OLAF-it, Petr Klement, theksoi se rreziku nuk kufizohet vetëm te kontrabanda dhe humbjet ekonomike.
“Pirja e duhanit është e rrezikshme. Pirja e cigareve të falsifikuara është edhe më e rrezikshme”, tha ai.
Sipas tij, përveç dëmit që u shkaktojnë shëndetit të konsumatorëve, cigaret e paligjshme dëmtojnë edhe financat publike.
“Çdo cigare e kontrabanduar u heq të ardhura taksapaguesve dhe financon krimin e organizuar”, shtoi Klement.
OLAF bëri të ditur se hetimet lidhur me këtë rrjet kriminal janë ende në vazhdim. /Gazeta Shneta/



