Një operacion i gjerë ndërkombëtar ka çuar në çmontimin e dy rrjeteve kriminale të dyshuara për prodhimin dhe trafikimin e cigareve të falsifikuara, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar 20 milionë cigare dhe 38.4 tonë gjethe dhe duhan të përpunuar.
Vlera e produkteve të paligjshme vlerësohet në rreth 10 milionë euro, shkruan Euronews Health trasnmeton Gazeta Shneta.
Sipas Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet ligjzbatuese të disa shteteve evropiane, duke goditur një zinxhir ndërkombëtar të furnizimit me produkte të duhanit të falsifikuara.
Gjatë muajit të kaluar, autoritetet realizuan 23 kontrolle në banesa, ambiente biznesi dhe depo industriale në provincat Alicante, Cuenca, Huelva, Murcia, Sevilla dhe Toledo në Spanjë.
Përveç 20 milionë cigareve dhe 38.4 tonëve duhan, hetuesit sekuestruan edhe 18 automjete, pajisje për prodhimin e cigareve, pajisje elektronike të koduara, 170 mijë euro para të gatshme, si dhe disa armë zjarri.
Si rezultat i operacionit u arrestuan 50 persona. Dy prej të dyshuarve iu dorëzuan autoriteteve polake në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në operacion morën pjesë Guardia Civil e Spanjës, Byroja Qendrore e Hetimeve e Polonisë, Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë, Byroja e Policisë Kriminale të Lituanisë, si dhe OLAF dhe Europol.
Drejtori i Përgjithshëm i OLAF-it, Petr Klement, tha se përveç dëmit që duhani i falsifikuar mund të shkaktojë në shëndetin e konsumatorëve, kontrabanda me cigare dëmton edhe financat publike.
“Pirja e duhanit është e rrezikshme. Pirja e cigareve të falsifikuara është edhe më e rrezikshme. Përveç dëmit për shëndetin, çdo cigare e paligjshme u heq të ardhura taksapaguesve dhe financon krimin e organizuar”, deklaroi ai.
OLAF bëri të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë ende në zhvillim dhe nuk përjashtohen masa të tjera ndaj personave të përfshirë në rrjetin kriminal.



