Google ka hequr disa AI Overviews (përmbledhje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale) për pyetje që lidhen me shëndetin, pas një hetimi që zbuloi se disa prej tyre përmbanin informacione të pasakta ose të paqarta.
Sipas një hetimi të gazetës The Guardian, këto përmbledhje kanë dhënë përgjigje me shumë shifra mjekësore, por pa kontekst të mjaftueshëm, duke mos marrë parasysh dallimet sipas moshës, gjinisë, etnisë apo vendit. Në disa raste, informacioni i dhënë mund të çonte në keqkuptime dhe rrezik për shëndetin e përdoruesve.
AI Overviews janë përmbledhje që shfaqen në krye të rezultateve të kërkimit dhe gjenerohen nga inteligjenca artificiale, ndryshe nga “featured snippets”, të cilat merren drejtpërdrejt nga faqe të caktuara në internet.
Hetimi përmend edhe raste ku Google ka sugjeruar këshilla dietike për pacientë me sëmundje serioze, si kanceri i pankreasit, të cilat ekspertët i kanë cilësuar si të papërshtatshme.
Këto gjetje kanë rihapur debatin mbi rrezikun e të ashtuquajturave “halucinacione” të AI-së, kur sistemet gjenerojnë përgjigje të pasakta ose të pabazuara.
Google nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me heqjen e këtyre përmbledhjeve, ndërsa paralelisht kompania ka njoftuar se po zgjeron përdorimin e AI Overviews edhe në shërbime të tjera, si Gmail.


