Miliona gra në mbarë botën përballen me prolapsin e organeve pelvike, një gjendje e trajtueshme që shpesh mbetet e padiagnostikuar për vite me radhë. Kjo ndodh kur muskujt e legenit dobësohen dhe nuk arrijnë më të mbështesin siç duhet organet, duke bërë që fshikëza ose mitra të zhvendosen drejt kanalit vaginal.
Rashan Williams, 41 vjeçe nga Florida, tregoi se për vite të tëra organizonte udhëtimet familjare duke menduar vazhdimisht për vendndodhjen e tualeteve.
Ajo kishte nevojë të shkonte shpesh në banjë dhe ndiente se diçka në trupin e saj nuk ishte normale. Megjithatë, për gati një dekadë nuk mori përgjigje të qarta nga mjekët, gjë që ndikoi edhe emocionalisht tek ajo, shkruan burimi Health Day.
Sipas specialistëve, shumë gra mendojnë gabimisht se rrjedhja e urinës apo ndjesia e presionit në legen janë pjesë normale e plakjes.
Një sondazh i fundit tregoi se shumë persona besojnë se kjo gjendje prek vetëm gratë mbi 60 vjeç ose vetëm ato që kanë lindur fëmijë, ndërsa shumë të tjera nuk e dinë se ekzistojnë trajtime kirurgjikale efektive, transmeton Gazeta Shneta.
Gjendja e Williams ndryshoi pasi u konsultua me një uro-gjinekologe, e cila identifikoi menjëherë problemin dhe i propozoi trajtim kirurgjikal minimalisht invaziv.
Pas ndërhyrjes, simptomat dhe problemet me inkontinencën u zhdukën, duke i rikthyer asaj jetën normale.
Mjekët theksojnë se lindjet, mosha dhe faktorët gjenetikë rrisin rrezikun për prolaps, por ushtrimet për forcimin e muskujve të legenit dhe trajtimi i hershëm mund të bëjnë një ndryshim të madh në cilësinë e jetës së grave. /Gazeta Shneta/


