[Foto-arkivë] – Gruaja nga Gjakova që ndërroi jetë sot nga koronavirusi në Klinikën Infektive në QKUK, ishte në javën e 28-të të shtatzënisë.
E ndjera ishte shtrirë në klinikë më 15 prill, pasi ishte paraqitur fillimisht në Spitalin e Gjakovës me probleme neurologjike. Ajo ishte kontrolluar edhe në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Neurologjisë, shkruan Gazeta Shneta.
Konziliumi i mjekëve ishin në monitorim të gjendjes së saj, por vendimi ishte që të pritej përmirësimi i gjendjes pasi lindja me operacion në javën e 28-të vetëm sa do ta rrezikonte jetën e gruas.
E ndjera ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare në orët e para të ditës së sotme. “Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të datës 21. 04. 2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19. E njëjta, ishte shtatzënë dhe po trajtohej në mjekimin intensive të klinikës që prej datës 15 prill 2020” thuhet në njoftimin e MSH-së. /Gazeta Shneta/