Një zhvillim i fundit në onkologji po konsiderohet si një nga përparimet më të mëdha të viteve të fundit. Teknologjia inovative e njohur si spatial medicine po u mundëson shkencëtarëve të krijojnë një hartë tredimensionale shumë të detajuar të tumoreve. Kjo qasje po ndryshon mënyrën se si kuptohet dhe trajtohet kanceri.
Ndryshe nga metodat tradicionale që analizojnë tumorin si një masë të vetme, kjo teknologji studion përbërjen e tij në nivel shumë më të thellë. Ajo identifikon jo vetëm llojet e qelizave, por edhe vendndodhjen e tyre të saktë dhe mënyrën se si komunikojnë mes vete dhe me sistemin imunitar, shkruan The Australian, transmeton Gazeta Shneta.
Një nga aspektet më të rëndësishme të kësaj metode është zbulimi i “mikromjediseve tumorale”. Këto janë zona specifike brenda tumorit ku ndodhin ndërveprime kyçe, si përballja mes qelizave kancerogjene dhe atyre imunitare ose zhvillimi i rezistencës ndaj trajtimeve.
Kjo ndihmon në shpjegimin pse disa pacientë me kanceri nuk reagojnë ndaj kimioterapisë apo imunoterapisë. Brenda të njëjtit tumor mund të ekzistojnë zona që reagojnë mirë ndaj trajtimit dhe zona të tjera që janë plotësisht rezistente.
Falë kësaj harte 3D, mjekët mund të identifikojnë me saktësi pjesët më agresive të tumorit dhe të ndërhyjnë në mënyrë më të targetuar. Kjo hap rrugën për trajtime të personalizuara për çdo pacient, duke rritur ndjeshëm efektivitetin e terapive dhe duke reduktuar efektet anësore.
Ekspertët besojnë se kjo teknologji mund të transformojë trajtimin e kanceri në të ardhmen, duke kaluar nga një qasje e përgjithshme në një mjekësi precize dhe të individualizuar. Megjithatë, ajo është ende në zhvillim dhe kërkon studime të mëtejshme për t’u bërë pjesë e praktikës së përditshme klinike. /Gazeta Shneta/


