Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu e ka akuzuar ish-ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia për parregullësi në kontrata milionëshe për furnizimin me materiale dhe pajisje kundër pandemisë Covid-19.
Haxhiu ka deklaruar se zyrtarë të MSH-së kishin ndikuar në AKPM që t’ia japin autorizim marketingun kompanisë “Agani” për morfinë. Sipas Haxhiut, edhe pse kjo kompani nuk kishte autorizim marketing, kishte fituar kontratë, shkruan Gazeta Shneta.
“Kontratën për morfinë kompanisë “Agani” e cila nuk ka pasur autorizim marketing. Kjo kontratë është dhënë në kohën kur QKUK ka pasur kontratë valide për morfinë me kompaninë “Santepharm”. Kontrata milionëshe për kompaninë “Lego” e cila ka pas vetëm 2 punëtor dhe kapital vetëm 1 mijë euro në ARBK. Çmimet në rajon për maskën FFP të cilën MSH e ka paguar me çmim 8.50 dhe 7.99, ndërsa në të njëjtën kohë komunat e kanë kontraktuar me çmim 3 euro”.
“Veshjet mbrojtëse në fund të muajit shkurt MSH i ka kontraktuar me shtatë euro, në mes të muajit mars me 8 euro, kurse në fund me 12.20 euro. Pra çmimi ka shkuar duke u rritur. Dorëzat sterile sipas kontratave të MSH-së në fillim i ka kontraktuar me 6 cent, më pas ka shkuar deri në 52 cent. Kurse komunat i kanë kontraktuar me 35 cent”, ka deklaruar Haxhiu.
Ai ka thënë se SHSKUK i kishte kontraktuar thasët për kufroma me tetë euro, ndërsa MSH me 27.50 euro. “Buxheti i shtetit është dëmtuar me miliona euro dhe ju si ministër keni qenë autoriteti kryesor menaxherial dhe çdo kontratë mbi 120 mijë euro ju keni pas të drejt me anulu ku keni pas dyshime. A ka ndonjë kontratë, përveç këtyre që ua keni dhënë të cilat kanë qenë të afërta ose të lidhura me VV-në, a ka ndonjë që e keni refuzuar”.
“Dorëheqja juaj në rastin e Agon Musliut ka mundur me qenë morale, e jo personale sepse ai nuk ka vdekur në shtëpinë tuaj por në një karantinë të cilën ju e keni themeluar pa bazë ligjore”, ka thënë Haxhiu.
Në anën tjetër Vitia ka mohuar të ketë pasur ndikim në procedurat e prokurimit. Ai ka thënë se të gjitha furnizimet janë bërë në bazë të njësive kërkuese dhe për këtë i ka kërkuar Haxhiut që të kërkojë përgjigje në ato institucione.
“Ka qenë një situatë e papritur dhe natyrisht që ka mundur të ketë mungesa të tilla. Nga viti 2004-2007 kam qenë punëtor në kompaninë Agani dhe ky është një fakt publik dhe nuk e kam fshehur kurrë. Sot nuk kam asnjë raport me kompaninë dhe unë kam punuar edhe në kompani të tjera”.
“Shumicën e këtyre pyetjeve edhe po t’i dija përgjigjet do të ishte shkelje sepse ministri i Shëndetësisë përveç që e ka autoritetin, procedurat e prokurimit janë të rregulluara me ligj. Në fillim të pandemisë kemi pas një ofertë rreth 100 mijë euro, para këto të alokuara nga ish-ministri Ismaili, dhe Sekretari më patën njoftuar se duhet ta anulojmë këtë aktivitet sepse ka fryrje të madhe të çmimeve. Pastaj është rihapur dhe çmimi i maskave ka qenë dyfishi ose pak më shumë sesa në aktivitetin e parë”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka thënë se të gjitha kontratat janë dërguar në njësinë e krimeve ekonomike në Polici dhe Prokurori.
“Para se të fillonim me kontratat tjera ne kemi mbajtur një takim me shoqatën e kompanive farmaceutike dhe të pajisjeve medicinale, të cilave ua kemi bërë me dije se në këtë situatë ne do të detyrohemi të blejmë materiale për të shpëtuar jetën e qytetarëve, por poashtu iu kemi treguar se të gjitha kontratat do të dërgohen në Krimet ekonomike dhe Prokurori për të hetuar çmimet”.
“Edhe sot i ftoj të gjitha organet e hetuesisë që të hetojë të gjitha kontratat dhe shpresojë që edhe Komisioni juaj të zbardh të gjitha. Rreth 6 milionë euro janë shpenzuar për furnizim me materiale mbrojtëse dhe pajisje medicinale”, ka deklaruar Vitia. /Gazeta Shneta/