Gazi oksidul është hequr nga përdorimi në të gjitha spitalet në kudër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Heqja e këtij gazi është bërë me urdhër të inspektoriatit të Ministrisë së Shëndetësisë, raporton Gazeta Shneta.
Heqjen e gazit e ka konfirmuar edhe SHSKUK-ja.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm ju njofton se është hequr nga përdorimi gazi oksidul, deri në një vendim tjetër nga organet kompetente”, thuhet në një përgjigje për Gazeta Shneta.
SHSKUK-ja thotë se operacionet jo emergjente vetem në bllokun e klinkave kirurgjike vazhdojnë të jenë pezulluara, pra të mos kryhen.
Vendimi për heqjen e këtij gazi nga përdorimi, vjen pas vdekjes së pacientëve në QKUK, ku dyshohet se oksiduli është shkaktar.
Gazi me të cilin është furnizuar QKUK-ja, prodhohej në Kaçanik nga kompania “Bubeari Komerc”, e cila nuk kishte licencë për një veprimtari të tillë. Kjo kompani ka furnizuar edhe spitalin e Gjakovës dhe të Gjilanit, ndërsa spitalet tjera i ka furnizuar një kompani tjetër.
Prokuroria është duke hetuar vdekjen e dyshimtë të tre pacientëve, ndërsa SHSKUK-ja thotë se janë vetëm 2 pacientë të cilëve u është dhënë ky gaz.
Prokuroria ka deklaruar se është në pritje të rezultatit të analizave të autopsisë, ndërsa deri më tani asnjë zyrtar nuk është pezulluar dhe askush nuk ka dhënë dorëheqje për këtë skandal. /Gazeta Shneta/