Një raport i ri ka zbuluar nivele më të larta se ato të pranueshme të metaleve të dëmshme, kadmium dhe plumb, në shumë pluhura proteinash.
Pluhurët proteinikë organikë, me bazë bimore dhe me shije çokollate kishin nivelet më të larta të kontaminimit, shkruan burimi Health përcjell Gazeta Shneta.
Ekspertët thonë se sasi të vogla të këtyre pluhurëve nuk ka gjasa të ndikojnë në shëndetin tuaj, por opsioni më i sigurt është marrja e proteinave nga ushqimet e plota.
Pluhuri i proteinave është një suplement i popullarizuar, me ndikues në rrjetet sociale dhe entuziastë të fitnesit që thonë se i ndihmon për të ndërtuar muskuj dhe për të arritur objektivat makronutrientë.
Por një raport i ri ngre shqetësime mbi sigurinë e këtyre suplementeve, duke zbuluar se shumë pluhurë proteinash përmbajnë nivele më të larta se ato të pranueshme të metaleve të rënda toksike, si plumbi dhe kadmiumi.
Plumbi lidhet me dëmtime të trurit dhe sistemit nervor qendror, si dhe me probleme zhvillimore tek fëmijët, ndërsa kadmiumi mund të ndikojë në funksionin e veshkave dhe shëndetin e kockave dhe mund të rrisë rrezikun për disa lloje të kancerit.
Raporti, i kryer dhe publikuar nga organizata jofitimprurëse “Clean Label Project”, e cila teston produktet për toksina mjedisore dhe industriale, zbuloi nivelet më të larta të metaleve tek pluhurat proteinikë me bazë bimore, organike dhe me shije çokollate.
Studiuesit e Clean Label Project blenë 160 produkte nga 70 prej markave më të njohura të pluhurëve proteinikë. (Organizata nuk publikoi emrat e produkteve të analizuara).
Mostrat u dërguan në një laborator të pavarur, i cili kreu rreth 36,000 teste për 258 ndotës, përfshirë metale të rënda, ftalate, substanca perfluoroalkile dhe polifluoroalkile (të njohura si PFAS ose “kimikatet e përjetshme”), si dhe bisfenolët BPA dhe BPS.
Studiuesit zbuluan se 47% e mostrave të pluhurëve proteinikë tejkaluan udhëzimet për plumb dhe kadmium të vendosura nga Propozimi 65 i Kalifornisë, një ligj që kërkon paralajmërime për ekspozimin ndaj kimikateve që mund të shkaktojnë kancer, defekte të lindjes ose dëme të tjera riprodhuese. Më shumë se 20% e mostrave kishin nivele dy herë më të larta se kufijtë e vendosur nga Prop 65.
Në përgjithësi, produktet organike kishin nivele më të larta të ndotjes me metale të rënda, me tri herë më shumë plumb dhe dy herë më shumë kadmium në krahasim me produktet jo-organike.
Pluhurët proteinikë me shije çokollate përmbanin më shumë kadmium, me disa mostra që kishin deri në 110 herë më shumë kadmium se pluhurët me shije vanilje.
“Ky studim shërben si një thirrje zgjimi për konsumatorët, prodhuesit, shitësit dhe rregullatorët,” thuhet në raport. /Gazeta Shneta/


