Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar lidhur me njoftimin e Komunës së Prishtinës për erëra të forta gjatë ditës së sotme, 25 janar 2025, duke sqaruar se ky paralajmërim nuk është i bazuar në parashikimet zyrtare të institutit.
Sipas IHMK-së, njoftimi i publikuar nga Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, në të cilin pretendohet se paralajmërimi mbështetet në parashikimin e IHMK-së, nuk qëndron. Instituti thekson se nuk ka lëshuar asnjë paralajmërim për rreziqe nga erërat e forta për këto data, përcjell Gazeta Shneta.
IHMK-ka bën të ditur se parashikimi zyrtar për datat 24 dhe 25 janar 2025 është publikuar në faqen zyrtare të institutit në Facebook dhe përfshin vetëm erëra me intensitet të lehtë deri në mesatar, pa elemente rreziku.
Sipas institutit, këto kushte meteorologjike pritet të krijojnë rrethana që nga dita e hënë të shoqërohen me reshje shiu, por jo me erëra të forta apo ekstreme.
IHMK-ja u bën thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të informohen vetëm nga burimet zyrtare për parashikimet e motit. /Gazeta Shneta/




