Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.
Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç.
Sipas IKSHPK- së të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).
IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të “importuara”, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit.
IKSHPK u rikujton prindërve se Fruthi është sëmundje shumë serioze, 6 herë më ngjitëse se gripi dhe se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore si infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe vdekje.
“Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve, IKSHPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë kartonin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë ata sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në njësitë e vaksinimit në QKMF të komunës së tyre”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së./Gazeta Shneta/




