Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka njoftuar se procesi i vaksinimit kundër Human Papilloma Virusit në Kosovë (HPV), ka treguar rezultate inkurajuese. Kjo fal bashkëpunimit të ndërsjelltë mes palëve të profesionistëve shëndetësor dhe prindërve të klasave të gjashta.
IKShPK, ka thënë përmes një komunikate se – një muaj nga fillimi i aplikimit të vaksinës kundër HPV, bazuar në raportimet fillestare nga komunat e Kosovës, rezultatet janë inkurajuese. Prindërit e klasave të gjashta, në masë të madhe, janë duke ju përgjigjur thirrjes së institucioneve për të vaksinuar vajzat e tyre.
Mes tjerash, profesionistët shëndetësor, po vazhdojnë të zgjerojnë njohuritë e prindërve që kanë nevojë për informacione shtesë për përfitimet e vaksinës kundër HPV, me qëllim të marrjes së vendimit të drejtë për vajzat e tyre.
IKShPK, ka theksuar përsëri se vaksinimi ofron mbrojtje kundër Papilloma-virusit njerëzor (HPV), që është shkaktar i llojeve të ndryshme të kancerit, përfshirë kancerin e qafës së mitrës.
Sipas të dhënave shkencore në mbi 134 shtete (që nga viti 2006), tregojnë se kjo vaksinë është e sigurt dhe u është dhënë miliona vajzave anekënd botës.
Përveç kësaj, IKShPK, citohet të ketë shkruar se vaksina HPV mund të parandalojë më shumë se 90% të kancereve të lidhura me HPV.
Me aplikimin e kësaj vaksine, Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së shëndetit riprodhues. /Gazeta Shneta/



