Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia e ka shfuqizuar vendimin për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.
Spitali i Përgjithshëm i Podujevës sot ka qenë një nga temat e rendit të ditës në mbledhjen e radhës të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar. Në këtë mbledhje është njoftuar se ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka shfuqizuar vendimin për themelimin e këtij spitali, shkruan Gazeta Shneta.
Kryesuesi Naim Bardiqi ka thënë se vendimi për shfuqizim ka ardhur pas rekomandimeve të një grupi punues i cili e ka bërë vlerësimin e nevojave për komunën e Podujevës nëse ka nevojë për spital apo për shërbime poliklinike.
“Një grup punues i cili e ka bë vlerësimin e gjendjes dhe rekomandimi është që të themelohet një poliklinikë. Kërkesa e komunës së Podujevës është që të ndërrohet edhe objekti. Vendimi i ministrit të Shëndetësisë për shfuqizimin e vendimit për spitalin e përgjithshëm”, ka deklaruar Bardiqi.
Ai ka thënë se rekomandimet e grupit punës janë aprovuar nga ministri me një plan veprimi dhe në bazë të kësaj Podujeva do të ketë një Poliklinikë me shërbime të caktuara.
Pas këtij njoftimi, Bordi ka votuar për dhënien e rekomandimit për ministrit Vitia që të nxjerr vendim për themelimin e Poliklinikës.
Në vitin 2020 ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj pati prezantuar një projekt për ndërtimin e spitalit të Podujevës. Ky prezantim ishte bërë gjatë fushatës zgjedhore.
Por për këtë projekt ishte iniciuar edhe një procedurë tenderuese në vlerë prej 9 milionë euro në SHSKUK. Tenderi ishte anuluar në vitin 2021 dhe projekti ishte hequr nga kodi buxhetor. /Gazeta Shneta/



