Një revolucion i ri farmaceutik po ndryshon mënyrën se si trajtohet obeziteti në mbarë botën. Injeksionet për humbje peshe, të njohura si agonistë GLP-1, po shfaqen me ritme të shpejta dhe tashmë po ndikojnë në tregun global të shëndetit.
Në Indi, farmacitë digjitale ofrojnë tashmë shërbime “same-day delivery” për injeksionet e dobësimit, ndërkohë që kërkesa për këto ilaçe po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshe, shkruan GoodRx, transmeton Gazeta Shneta.
Në mars të këtij viti, gjiganti amerikan Eli Lilly lançoi në Indi tirzepatidën, me një çmim prej rreth 180 dollarësh për një muaj trajtim, shumë më pak se në SHBA, por ende i papërballueshëm për shumicën e banorëve. Megjithatë, brenda pak muajsh, ilaçi u rendit si produkti i dytë më i shitur me emër tregtar në vend.
Fenomeni indian reflekton një trend global: agonistët GLP-1, që dikur përdroheshin kryesisht në vendet e pasura, tani janë përfshirë nga OBSH në listën e barnave thelbësore për të gjitha vendet. Shitjet globale të këtyre ilaçeve pritet të kapin mbi 26 miliardë dollarë në vitin 2025, duke dyfishuar vlerën e një viti më parë. Me dy të tretat e mbi 1 miliard të rriturve obezë që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare, potenciali i tregut është i jashtëzakonshëm.
Obeziteti nuk është më vetëm një çështje estetike; ai rrit ndjeshëm rrezikun e diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe disa formave të kancerit. Studimet paraprake tregojnë se ilaçet GLP-1 mund të ndihmojnë gjithashtu në trajtimin e apneas së gjumit, sëmundjeve të veshkave dhe madje Alzheimerit.
Patentat për disa prej këtyre ilaçeve pritet të skadojnë që në vitin 2026, duke hapur rrugën për versione gjenerike më të përballueshme. Në Indi, prodhuesit farmaceutikë po zhvillojnë dhjetë gjenerikë të semaglutidës, me çmime deri në tre herë më të ulëta se produkti origjinal, dhe planifikojnë eksportin në mbi 80 vende.
Për më tepër, versionet e reja në formë tablete janë në zhvillim e sipër, duke ofruar një alternativë më praktike dhe të aksesueshme për përdoruesit. Nëse ky ritëm i inovacionit vazhdon, trajtimet GLP-1 mund të jenë në dispozicion globalisht brenda pak vitesh, duke shënuar një nga përparimet më të mëdha të mjekësisë moderne në luftën kundër obezitetit dhe sëmundjeve kronike. /Gazeta Shneta/


