Një implant i vogël elektronik në sy po ndihmon njerëzit me humbje të pashërueshme të shikimit që të shohin sërish, sipas një studimi të ri që është cilësuar si një “përparim i madh” në fushën e vizionit artificial.
Implanti vendoset nën retinën e syrit dhe lidhet me një palë syze speciale që përmbajnë kamera. Ai është krijuar për pacientët me degjenerim makular të lidhur me moshën (AMD) – një sëmundje e zakonshme që shkakton humbjen e shikimit në qendër të fushës vizuale, zakonisht pas moshës 50 vjeçare.
Në studimin e zhvilluar në pesë vende evropiane, 38 pacientë të moshuar që vuanin nga forma e avancuar e AMD-së, pas vendosjes së implantit arritën të lexonin shkronja, fjalë dhe numra.
Brenda një viti, 84 për qind e pjesëmarrësve arritën të lexonin me ndihmën e pajisjes, ndërsa 69 për qind u shprehën të kënaqur me përmirësimin e shikimit.
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Frank Holz, nga Universiteti i Bonnit në Gjermani, kjo është hera e parë që arrihet rikthimi i shikimit funksional në pacientët e verbuar nga AMD-ja e avancuar. “Implanti përfaqëson një ndryshim rrënjësor në trajtimin e kësaj sëmundjeje,” deklaroi ai.
Pajisja u zhvillua fillimisht nga kompania franceze Pixium Vision, e cila u ble vitin e kaluar nga kompania amerikane Science Corporation. Kjo e fundit ka aplikuar që pajisja të licencohet për përdorim në Bashkimin Evropian dhe pritet që ajo të jetë e disponueshme për pacientët që vuajnë nga humbja e avancuar e shikimit gjatë vitit të ardhshëm.


