India ka refuzuar kërkesat e prodhuesve të barnave për të shtyrë afatin e fundit të vitit, për përmirësimin e standardeve të fabrikave farmaceutike sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Vendimi vjen pas vdekjes së të paktën 24 fëmijëve që kishin konsumuar një shurup lokal kundër kollës.
Qeveria indiane kishte kërkuar që të gjitha kompanitë farmaceutike të përmbushnin standardet ndërkombëtare të prodhimit, pas rasteve të mëparshme në Afrikë dhe Azi Qendrore, ku mbi 140 fëmijë humbën jetën pasi kishin konsumuar shurupe të prodhuara në Indi. Këto ngjarje tronditëse kishin dëmtuar rëndë imazhin e Indisë si “farmacia e botës”.
Sipas Reuters, fabrika Sresan Pharmaceutical Manufacturer, e cila prodhonte shurupin Coldrif, është zbuluar se nuk i kishte përmirësuar kapacitetet e saj, dhe testet laboratorike kanë treguar se shurupi përmbante 48.6% diethylene glycol (DEG) – një substancë tepër toksike dhe rreth 500 herë mbi kufirin e lejuar nga OBSH.
Kjo substancë, sipas autoriteteve, përdoret ndonjëherë “në mënyrë të gabuar ose të qëllimshme” në vend të përbërësve farmaceutikë më të shtrenjtë si glicerina apo propylene glycol. Pas hetimeve, qeveria indiane ka revokuar licencën e prodhimit, ka bllokuar produktet e kompanisë dhe ka arrestuar themeluesin e saj, S. Ranganathan, për akuza të ngjashme me vrasje nga pakujdesia.
Tragjedia ka prekur shumë familje. Një nga viktimat ishte Mayank Suryavanshi, 3 vjeç e gjysmë, i cili vdiq nga dështimi akut i veshkave pasi kishte konsumuar shurupin Coldrif. “Nuk e imagjinonim kurrë që një ilaç i zakonshëm mund të kthehej në helm,” tha babai i tij për Reuters.
Edhe Yojita Thakre, 2-vjeçare, humbi jetën pasi mori të njëjtin shurup. “Medikamenti u shndërrua në helm dhe vrau vajzën time,” tha i ati, mësuesi Sushant Kumar Thakre.
India ka një industri farmaceutike prej mbi 50 miliardë dollarësh, me rreth 3,000 kompani dhe 10,000 fabrika. Autoritetet thonë se standardet e reja janë të domosdoshme për të shmangur raste të tjera fatale.
“Afatet nuk mund të shtyhen pafundësisht – njerëzit po vdesin,” tha një zyrtar për Reuters.
Autoritetet kanë nisur inspektime të gjera nëpër farmaci, duke mbledhur shurupe të dyshimta dhe duke ndërmarrë fushata ndërgjegjësuese derë më derë për t’i tërhequr nga përdorimi./Gazeta Shneta/




