Autoritetet shëndetësore në Nju Jork kanë konfirmuar rastin e parë lokal të virusit Chikungunya në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2019. Rasti është identifikuar tek një banor i Long Island, i cili është infektuar nga pickimi i një mushkonje të infektuar.
Sipas njoftimit të Departamentit të Shëndetit të Shtetit të Nju Jorkut, pacienti kishte filluar të shfaqte simptoma në muajin gusht, pasi kishte udhëtuar jashtë rajonit, por jo jashtë vendit. Kjo sugjeron se infektimi ka ndodhur brenda territorit të SHBA-së.
Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se nuk janë gjetur mushkonja të infektuara në zonë, dhe nuk ka prova për përhapje të mëtejshme të virusit.
“Rreziku për publikun mbetet shumë i ulët, veçanërisht pasi aktiviteti i mushkonjave po bie me uljen e temperaturave,” deklaroi Dr. James McDonald, komisioner i Shëndetit të Shtetit të Nju Jorkut.
Virusi Chikungunya përhapet përmes pickimit të mushkonjave dhe zakonisht gjendet në rajonet tropikale dhe subtropikale.
Sëmundja shkakton temperaturë, skuqje në lëkurë, ënjtje të nyjeve dhe dhimbje muskujsh. Edhe pse rrallëherë është fatale, mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për foshnjat, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike si tensioni i lartë apo diabeti.
Ekspertët kujtojnë se virusi nuk transmetohet nga personi në person, por vetëm përmes pickimit të mushkonjës së infektuar.
Këtë vit, shteti i Nju Jorkut ka regjistruar edhe tre raste të tjera të Chikungunya-s, të gjitha të lidhura me udhëtime ndërkombëtare, sipas raportimit të Associated Press.




