Një analizë e re shkencore tregon se infeksionet virale mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.
Studimi analizoi të dhëna nga 155 kërkime të ndryshme dhe identifikoi lidhje të qarta midis sëmundjeve kardiovaskulare dhe infeksioneve virale, përfshirë influencën, koronavirusin, HIV-in, hepatitin C dhe virusin varicella zoster, shkaktar i shytave dhe lisë së dhenve.
Sipas studiuesit Kosuke Kawai, epidemiolog në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, si infeksionet akute ashtu edhe ato kronike lidhen me rreziqe të menjëhershme dhe të zgjatura për shëndetin e zemrës dhe të enëve të gjakut.
Siç shkruan Euronews Health, këto rreziqe janë shpesh të nënvlerësuara në praktikën klinike.
Të dhënat tregojnë se në muajin pas një infeksioni me grip, rreziku për sulm në zemër rritet katër herë, ndërsa rreziku për goditje në tru rritet pesë herë, transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pas infeksionit me COVID-19, rreziku për ngjarje kardiovaskulare mbetet i lartë për rreth një vit. Personat me infeksione kronike përballen gjithashtu me rrezik të shtuar: rreth 60% më shumë për ata me HIV, 27% për hepatit C dhe 12% për shytat pas pesë vjetësh nga infeksioni.
Sipas Kawai, këto infeksione kanë ndikim të konsiderueshëm në nivel popullate, duke kontribuar në një numër të madh rastesh të sëmundjeve kardiovaskulare.
Mekanizmi kryesor lidhet me inflamacionin dhe mpiksjen e gjakut që aktivizohen nga sistemi imunitar gjatë infeksionit. Këto procese mund të dëmtojnë funksionin e zemrës dhe të rrisin rrezikun për sulm në zemër ose goditje në tru.
Ekspertët theksojnë se vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për të ulur këto rreziqe. Studime të mëparshme tregojnë se vaksina kundër gripit mund të zvogëlojë me rreth 34% rrezikun e vdekjes ose shtrimit në spital për sëmundje kardiovaskulare.
Sipas Kawai, masat parandaluese, përfshirë vaksinimin dhe menaxhimin e inflamacionit, janë thelbësore për mbrojtjen e zemrës, veçanërisht tek personat me rrezik të lartë. /Gazeta Shneta/


