Infeksionet me rrezik të lartë të papillomavirusit human (HPV) te meshkujt mund të lidhen me vdekjen e spermës dhe rrjedhimisht, me uljen e fertilitetit, sugjeron një studim i vogël i kryer në Argjentinë.
Sipas burimit Euronews Health, burrat me infeksione HPV me rrezik të lartë kanë më shumë gjasa të përjetojnë dëmtime të cilësisë së spermës, transmeton Gazeta Shneta.
HPV është një nga infeksionet seksualisht të transmetueshme më të përhapura në botë.
Studimi i ri, i publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Cellular and Infection Microbiology”, i shtohet numrit në rritje të kërkimeve që analizojnë ndikimin e këtij virusi te meshkujt, veçanërisht në aspektin e shëndetit riprodhues.
Studiuesit nga Universiteti Kombëtar i Kordobës morën mostra sperme nga 205 burra që vizituan një klinikë urologjike dhe andrologjike mes viteve 2018 dhe 2021.
Asnjëri prej tyre nuk ishte vaksinuar kundër HPV-së. Analizat treguan se 19% e mostrave përmbanin HPV, me infeksionet me rrezik të lartë që rezultuan më të shpeshta.
Krahasimi i cilësisë së spermës mes meshkujve pa infeksion, me infeksion me rrezik të ulët dhe me rrezik të lartë tregoi se grupi i fundit kishte më shumë gjasa për vdekje të spermës, nivele më të larta të stresit oksidativ dhe ndryshime në qelizat e bardha të gjakut.
Stresi oksidativ mund të dëmtojë ADN-në e spermës dhe konsiderohet një faktor kyç në infertilitetin mashkullor.
Megjithëse studiuesit theksojnë se studimi ka kufizime, përfshirë madhësinë e vogël të kampionit dhe faktin se HPV nuk zbulohet gjithmonë në spermë, gjetjet ndihmojnë në shpjegimin e disa problemeve të fertilitetit.
Ato sugjerojnë gjithashtu pse trajtimet si inseminimi intrauterin mund të jenë më pak efektive te burrat me infeksione HPV me rrezik të lartë. /Gazeta Shneta/


