Një infermiere dhe një bartës i pacientëve në Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, paguhen më shumë se mjekët në QKUK përmes stimulimeve. Kjo ka bërë që një grup i anesteziologëve të mjekimit intensiv të kërkojnë poashtu stimulime për punën e tyre
Një grup anesteziologësh të Mjekimit Intensiv Qendror i janë drejtuar Zyrës së Drejtorit të SHSKUK-së me një kërkesë për stimulim për punën e tyre. Në kërkesën që mban datën 3 prill 2018, janë nënshkruar anesteziologët Naim Kuqi, Hysen Hyseni, Tefta Ahmeti, Gazmend Spahija, Arben Ahmeti, Agreta Gecaj, Shaqir Uka, Arben Kryeziu, Diana Hoxha, Ardian Hoti, Agron Krasniqi, Lavdim Morina, Ingerta Sahiti, Fatos Katanolli, Driton Zylfiu dhe Hajdin Gakaj.
Në letrën e tyre, anesteziologët fillimisht kanë renditur disa arsyetime ku mendojnë se puna e tyre është mjaft e rëndësishme për pacientët, shkruan Gazeta Shneta.
“MIQ është i vetmi institucion në Kosovë ku trajtohen të sëmurët kritik, jeta e të cilëve është e rrezikuar në çdo moment…Askush nga kolegët tonë të profileve të tjera nuk ka shprehur gatishmërinë që të merret me rastet që çdo kund në botë i trajtojnë ata (kardiologët, neurologët, infektologët, pediatrit)”, thuhet ndër të tjera në letrën e tyre drejtuar SHSKUK-së.
Ata konsiderojnë se puna e tyre dallon nga të tjerët pasi përballen me shumë përgjegjësi, stres, shpenzim fizik, emocional dhe psikologjik si dhe me rrezikshmëri në vendin e punës duke pasur parasyshë infeksionet intrahospitalore multirezistente.
E kërkesa e tyre vjen pas paralajmërimeve për funksionalizimin e kujdesit të ri intensiv, investim ky nga organizata turke TIKA.
“Kjo nënkupton punë shtesë për ne dhe gjithë stafin. Ju e dini që ka mungesë të anesteziologëve-intensivistëve dhe ne do të stërngarkohemi me punë dhe përgjegjësi”, kanë shkruar ata tutje.
Anesteziologët thonë se janë 8 ekipe me nga dy intensivistë që sipas tyre është kundër të gjitha standardeve. Këta mjekë kanë tërhequr vërejtjen se nevojiten edhe 18 anesteziologë të tjerë, ndonëse sipas tyre specializantët e rinj veçse janë larguar nga Kosova.
“MIQ është interes kombëtar dhe shtetëror, e asesi më pak i rëndësishëm sesa Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive. Andaj ne kërkojmë nga ju që stimulimet që aplikohen në Kardiokirugji dhe Kardiologji Invazive të aplikohen edhe për stafin që punon në MIQ”, thuhet në kërkesën e tyre.
Krejt në fund anesteziologët bëjnë thirrje që kërkesa e tyre të merret seriozisht, ndryshe QKUK do të përballet me mungesë të tyre.
Janë pikërisht stimulimet që jepen në Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive, arsyeja pse anesteziologët po kërkojnë një gjë të tillë. Në këto dy klinika, një bartës i pacientëve paguhet me mbi 700 euro rrogë, ndërsa një motër medicinale merr rreth 800 euro. Kurse anesteziologët në këto dy klinika paguhen me mbi 2 mijë euro në muaj.
Ndërsa një anesteziolog në klinikat tjera paguhet rreth 700 euro, e po aq edhe ndonjë mjek i profileve tjera.
Ky stimulim në dy klinikat e zemrës bëhet përmes një vendimi të Qeverisë së udhëhequr nga ish-kryeministri Isa Mustafa. Në vitin 2015 kjo qeveri kishte marr vendim për stimulime, pas funksionalizimit të klinikave. Stimulimi ishte bërë me qëllim tërheqjen e stafit mjekësor, por kishte afat vetëm një vit.
Këtë vendim të skaduar e ka shfrytëzuar SHSKUK për ta aplikuar sërish, me anë të një vendimi nga Bordi Drejtues.
SHSKUK thotë se këto stimulime janë të përkohshme pasi është duke u punuar në kategorizimin e pagave.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK, ju njofton se pagesat e stafit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive bëhet bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për stimulim të përkohshëm të këtyre shërbimeve. Në nivel të Qeverisë është duke u punuar nga grupet punuese për kategorizim të pagave, i cili edhe do të përcaktoj edhe pagesat e stafit shëndetësor”, thuhet në përgjigjen për Gazeta Shneta.
Sipas SHSKUK-së grupet punuese janë duke bërë edhe përcaktimin e rrezikshmërisë në punë si dhe pagesat e kujdestarive.
Kjo përgjigje lë të kuptohet se kërkesa e anesteziologëve nuk do të merret parasyshë deri në miratimin e ligjit të ri për paga nga ana e Qeverisë.
“Kjo do të rregulloj edhe pagesën e stafit të kujdesit intensiv dhe stafit në përgjithësi”, thuhet në fund.
Grupi i anesteziologëve kanë deklaruar se ende nuk kanë marr përgjigje zyrtare nga SHSKUK. /Gazeta Shneta/