Infermierja italiane në një spital të Milanos, Sara Colombo, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre në mënyrë që të mbrohen nga koronavirusi.
Me gishtat e ngritur për të formuar shkronjën ‘v’ që simbolizon fitoren dhe me buzëqeshjen në fytyrën me shenja të kuqe nga maska, infermierja Sara Colombo ka bërë një apel për qytetarët italianë.
‘Shenjat janë si pasojë e vuajtjes por edhe shërimit’. Kështu shkruan Sara në postimin e saj në Facebook ku apelon për përgjegjësi.
Kushdo duhet të respektojë rekomandimet e qeverisë duke qëndruar në shtëpi dhe të kuptojë që në këto momente, duhet të kujdesesh për të tjerët në vend që t’i përqafosh.
Ndërsa ende në fytyrën e saj duken shenjat e ‘betejës’, Sara bën thirrje për të gjithë:”Qëndroni në shtëpi njerëz, qëndroni në shtëpi”
Më tej ajo shkruan: ”Bëjeni këtë për veten tuaj dhe për të dashurit tuaj. Bëjeni për të panjohurit dhe për më të dobëtit. Gjithashtu duhet ta bëni për ne dhe për të prekurit. Jeta ime dhe e profesionistëve të fushës janë katapultuar në një botë paralele që nga fillimi i javës.
Të vendosim një buzëqeshje nën maskat që kanë lënë brazda që arrijnë në shpirt. Asnjë hezitim në lidhje me misionin që duhet përmbushur. Ne duam t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë për ne. Secili të bëjë pjesën e tij brenda dhe jashtë spitaleve. Na ndihmoni ta bëjmë”, shkruan Sara duke bërë një lutje të fundit që të ndiqen rekomandimet. /hapur.al