Inspektorati Sanitar sot i ka lejuar punën bllokut operativ në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Sipas sqarimit të AUVK-së, leja e punës është dhënë pasi janë eliminuar të gjitha mangësitë.
Një ekip i inspektorëve sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë sot ri-inspektimin e bllokut operativ në Klinikën e Ortopedisë në QKUK i cili u mbyll para një jave për shkak se nuk i plotësonte kushtet tekniko-sanitare për punë, shkruan Gazeta Shneta.
AUVK ka sqaruar për Gazetën Shneta se kjo njësi është rikthyer në punë me leje të inspektoratit, pasi është konstatuar se janë eliminuar të gjitha mangësitë.
“Në këtë raste inspektorët kanë vlerësuar se janë eliminuar mangësitë të cilat janë urdhëruar për përmirësim. Bazuar në këtë i lejon ushtrimin e veprimtarisë për të cilën është e destinuar. Po ashtu lënda procedohet në hapin tjetër në Inspektoratin Sanitarë të AUV-së për hapat e mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen e AUVK-së.
Nga ky agjencion thonë se ekipi i inspektorëve ka qenë aktiv gjatë tërë kohës për t’i përshpejtuar plotësim ndryshimet (rregullimet infrastrukturore dhe ato higjienike) për të arritur nivelet e kushteve të përcaktuara me ligj, në mënyrë që t’i jepet drita e gjelbër për punë.
Blloku operativ në Ortopedi të QKUK-së u mbyll para një jave pasi sipas AUVK-së nuk i plotësonte kushtet tekniko-sanitare për punë.
“Korridori që lidhë bllokun operativë me dhomat është punuar nga materiali qe nuk është higjienik. Disa nga pajisjet janë të vjetruara-dëmtuara dhe koroduara. Dyshemeja është pjesërisht e dëmtuar. Ka mungesë të ujit të ngrohtë rrjedhës. DDD nuk është kryer në të gjitha hapësirat. Nuk ka qen i mirë pastrim gjeneral, i cili do të mundësonte nivel të mirë higjienikë”, kishte konstatuar inspektorati. /Gazeta Shneta/