Inspektorati Shëndetësor gjatë këtij viti ka kryer 738 inspektime në të gjitha institucione publike dhe private, në të cilat ka shqiptuar 149 gjoba dhe 52 institucione janë mbyllur përkohësisht.
Kështu ka bërë të ditur kryeinspektori Shaban Osmanaj në një përgjigje për Gazetën Shneta. Ai ka thënë se 186 inspektime janë kryer në sektorin publik shëndetësor, ndërsa 552 të tjera në sektorin privat.
“Për këtë periudhë kohore, pra, Janar 2021 – Shtator 2021 janë shqiptuar gjithsej 149 vendime me gjobë. Gjatë kësaj periudhe për mungesë licence apo skadim të licencës pesë vjeçare të punës, janë mbyllur apo ndaluar përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë në mbi 52 institucione private shëndetësore, poashtu në 4 raste kemi konstatuar se profesionistët shëndetësor nuk posedonin licencë pune profesionale. Në një institucion shëndetësor publik ishin të punësuar tre profesionistë shëndetësor (infermier të palicencuar) dhe i është ndërprerë aty për aty ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore deri në licencim”, ka deklaruar Osmanaj.
Inspektorati Shëndetësor gjatë këtij viti ka qenë i angazhuar edhe në mbikëqyrjen e procesit të vaksinimit, si dhe janë inspektuar laboratorët private për zbatimin e formularëve për raportimin e testeve të Covid-19.
Osmanaj ka treguar se gjatë këtyre inspektimeve janë gjetur parregullësi të ndryshme tek laboratorët private. “Nga inspektimet e kryera është konstatuar se në 45 raste, labaratoret private nuk kanë respektuar dispozitat ligjore në fuqi, dhe shkeljet ligjore më të shpeshta kanë qenë: mos raportim të rasteve pozitiv me Covid-19, mos përputhje të numrit të raportuar në IKPSH me ato të hasura në regjistër të pacientit në institucionin përkatës, mos kalibrim të aparaturave, mos prezencë të profesionistëve shëndetësor, ushtrim të veprimtarisë shëndetësore pa licencë pune. Falsifikim të rezultatit për test Covid-19 etj”, ka bërë të ditur Osmanaj.
Përveç gjobave të shqiptuara, disa labaratoreve të cilëve i kishte skaduar licenca i është ndaluar përkohesisht veprimtaria deri në plotësim të kushteve, dhe disa raste janë proceduar për në prokurori, për hetim të mëtutjeshëm.
Osmanaj ka treguar tutje se në javën e fundit iu është ndërprerë veprimatria dy institucioneve private në Prishtinë dhe Prizren, si dhe një laborator në Mitrovicë është inspektuar pasi lëshonte rezultate të testeve pa prezencë të profesionistit shëndetësor.
Për të njëjten periudhë janar –shtator për vitin 2020 janë kryer gjithsej 631 inspektime, kurse për vitin 2021 janë kryer gjithsej 738 inspektime. /Gazeta Shneta/