Institucionet shëndetësore në Kosovë punojnë me orare të ndryshme, ndonëse kryejnë shërbime të njëjta.
Institucionet shëndetësore në Kosovë punojnë me orare të ndryshme, ndonëse disa prej tyre kryejnë shërbime të njëjta, shkruan Gazeta Shneta.
Klinikat dhe spitalet e nivelit dytësor dhe tretësor përveç orarit të rregullt të punës dhe kujdestarive ose ndërrimeve, orarin e shkurtuar të punës ende e kanë të rregulluar në bazë të Kontratës Kolektive e cila ka skaduar në vitin 2022.
Shumica e institucioneve shëndetësore punojnë me orar të rregullt 07:00-15:00. Por edhe pse ekziston ky orar, jo në të gjitha institucionet kryhen shërbime deri në ora 15:00.
Disa shërbime me rrezikshmëri sikurse radiologjia, kardiologjia invazive, onkologjia, etj, punojnë me orare jo të plota. Por rrezikshmëria nuk është e vlerësuar njëjtë në të gjitha shërbimet dhe shkakton edhe dallimet në orarin e punës.
Ndërkaq në disa institucione të tjera me shërbime të njëjta, punohet me orar 08:00-16:00 dhe kryhen shërbime deri në fund të orarit.
Qeveria e Kosovës vitin e kaluar e ka miratuar një Rregullore për orarin e punës për shërbyesit publik, me anë të së cilës është synuar unifikimi i orarit në të gjitha institucionet. Megjithëse orari i punës në institucionet shëndetësore ndryshon nga institucionet tjera, kjo Rregullore nuk ka gjetur zbatim edhe në pika të tjera.
Gazeta e ka pyetur SHSKUK-në nëse është duke e zbatuar këtë rregullore, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Gjithashtu SHSKUK e pati nisur procesin e vlerësimit të rrezikshmërisë në punë në njësitë e saj, por deri më tani ky proces ende nuk ka përfunduar.
Rregullorja e Qeverisë e ka përcaktuar se punonjësit publik mund të punojnë me orar të shkurtuar në vende të caktuara të punës në të cilat përkundër aplikimit të masave mbrojtëse, zyrtari publik nuk mund të mbrohet nga ndikimet e dëmshme për shëndetin e tij.
“Orari i punës shkurtohet në përpjesëtim me rrezikshmërinë për shëndetin dhe aftësinë punuese të zyrtarit publik. 3. Orari i shkurtuar i punës mund të reduktohet më së shumti deri në njëzet (20) orë në javë, për punët me shkallë të lartë të rrezikshmërisë. 4. Zyrtari publik që punon në punët dhe detyrat e punës nga paragrafi 1 i këtij neni, nuk mund të punojë në punë dhe detyra të njëjta jashtë orarit të punës. 5. Zyrtari publik i cili punon me orar të shkurtuar të punës, sipas paragrafit 1 të këtij neni, i gëzon të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës sikurse zyrtari publik me orar të plotë pune”, thuhet në Nenin 7 të kësaj Rregullore. /Gazeta Shneta/




