Rënia e aftësive njohëse është një nga efektet anësore më pak të diskutuara, por të shpeshta, të insuficiencës kardiake. Këtë e konfirmon një studim i ri i publikuar në revistën shkencore “Circulation: Heart Failure”, i cili tregon se kjo sëmundje e zemrës lidhet ngushtë me probleme të ndryshme mendore, përfshirë kujtesën, përqendrimin dhe aftësinë për planifikim.
Sipas raportimit të Health News, studiuesit zbuluan se personat e diagnostikuar me insuficiencë kardiake përjetojnë një rënie të dukshme të funksioneve njohëse rreth kohës së diagnozës, përcjell Gazeta Shneta.
Profesorja e kardiologjisë në Universitetin e Miçiganit, Supriya Shore, e cila drejtoi studimin, theksoi se njohja e kësaj lidhjeje mund t’i ndihmojë pacientët dhe kujdestarët të reagojnë më herët dhe të përgatiten më mirë për vështirësitë që mund të shfaqen.
Insuficienca kardiake ndodh kur zemra nuk arrin të pompojë sasi të mjaftueshme gjaku dhe oksigjeni drejt organeve të tjera.
Në Shtetet e Bashkuara, rreth 7 milionë njerëz jetojnë me këtë gjendje. Shkaqet më të shpeshta janë tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundja e arterieve koronare, e cila kufizon qarkullimin e gjakut drejt zemrës.
Studimi u mbështet në të dhëna nga gjashtë kërkime afatgjata amerikane, që përfshinë gati 30 mijë persona të ndjekur për dekada.
Pas analizës, studiuesit konstatuan se diagnoza e insuficiencës kardiake lidhej me rënie të përgjithshme njohëse, përfshirë funksionin ekzekutiv, si planifikimi, zgjidhja e problemeve dhe kujtesa.
Këto gjetje nënvizojnë rëndësinë e trajtimit të insuficiencës kardiake jo vetëm si sëmundje fizike, por edhe si një sfidë për shëndetin mendor. /Gazeta Shneta/


