Në Bullgari rastet e para me Covid-19 janë shënuar në fillim të masave dhe sipas Dr. Skender Sylës ky shtet e ka menaxhuar mjaft mirë situatën duke qenë edhe një nga vendet me menaxhimin më të mirë në BE.
Por gjithçka ka ndryshuar pas lehtësimit të masave i cili nuk është bërë gradualisht dhe kjo sipas tij ka ndikuar në rritjen enorme të rasteve me mesatare ditore rreth 210 persona. Pas rritjes së shifrave pozitive, Syla thotë se Bullgaria ka shtuar në masë të madhe numrin e testeve RT PCR.
“Ditët e fundit është shtuar numri i testimeve, vetëm në 24 orët e fundit janë testuar mbi 6500 persona dhe prej tyre kanë rezultuar pozitiv rreth 230 që i bie nën 5 për qind e të testuarve”, ka deklaruar Syla.
Ai ka thënë se nuk ka masa të rikthyera, përveç mbajtjes së maskave e cila është bërë obligative në ambiente të mbyllura si dhe rekomandohet të mos ketë grumbullim të madh të njerëzve. Syla ka thënë se klubet e natës janë rekomanduar që të funksionojnë në ambiente të hapura dhe të ketë hapësirë së paku 1 metër katror për një person. Shqetësuese sipas tij janë disa protesta që po mbahen për arsye politike në ditët e fundit me mijëra pjesëmarrës, pa respektuar mbajtjen e maskave dhe rekomandimeve tjera.
Syla ka shpjeguar se diagnostikimi i Sars-CoV-02 në Bullgari bëhet vetëm me metodën Real Time PCR në institucionet publike dhe private. Ai ka shpjeguar se në sektorin publik testi rimbursohet nga sigurimet shëndetësore, ndërsa në sektorin privat çmimi varion nga 50 euro.
“Testi kushton rreth 50 euro, por nëse dikush dëshiron ta bëj në shtëpi çmimi rritet për 15 euro. Por ka edhe mundësi të bëhet testi në grup psh. prej pesë personave që kushton rreth 100 euro. Por nëse rezulton pozitiv, atëherë ky test grupor duhet të përsëritet në mënyrë individuale për të parë se cili ka qenë pozitiv”, ka shpjeguar Dr. Syla.
Ai ka thënë se testet serologjike në Bullgari janë bërë vetëm për hulumtime shkencore dhe për të përcaktuar shkallën e përqindjes së popullatës që ka mundur të jetë eksponuar ndaj virusit. “Në bazë të këtyre studimeve kjo shkallë ka dal prej 1 deri në 1.5 për qind”, ka thënë Syla. Ai ka shtuar se për këto hulumtime ka pasur mbikëqyrje shkencore përmes komitetit nacional.
Syla ka thënë se për diagnostikimin e Covid-19, OBSH rekomandon metodën RT PCR, kurse testet serologjike bëhen në rast të hulumtimeve shkencore për të përcaktuar prevalencën në një grup të caktuar të popullatës.
Syla ka folur edhe për situatën në Kosovë për çka ka thënë se duhet të shtohet numri i testeve dhe gjurmimit të rasteve, si dhe me fokus të veçantë mbrojtjen nga infeksioni për punëtorët shëndetësorë.
“Brenda 24 orëve të fundit kemi një rritje të frikshme të rasteve në botë, numri më i madh i rasteve të raportuara. Pandemia është prezente, virusi mund të vras madje edhe persona me kondicion. Unë shpreh ngushëllime edhe për një polic i cili ndërroi jetë. Prandaj mesazhi kryesor është për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës që t’i respektojnë masat sepse një pakujdësi e vogël mund ta sjell virusin në familjet e juaja dhe t’ia përcjellë gjyshit apo gjyshes dhe ata të përfundojnë në respiratorë, apo mos dasht Zoti edhe me fatalitet”, ka deklaruar Syla.
Syla ka deklaruar se ditët e fundit ka disa shenja shpresdhënëse për vaksina nga institucione të ndryshme. /Gazeta Shneta/