Gazeta Shneta ka realizuar një intervistë me drejtoreshën e Klinikës së Radiologjisë dr. Shkëndije Nuza, e cila ka ndarë me ne sfidat e Klinikës së Radiologjisë dhe ngjarjet që ndodhin në këtë klinikë.
Sipas doktoreshës Nuza çdo ditë pune në Klinikën e Radiologjisë është sfidë. Njëra ndër sfidat që ka hasur kjo klinikë kanë qenë listat e pritjes për shkak të rezonancave magnetike dhe kërkesave shumë të mëdha të rezonancës magnetike. Një problem ka qenë edhe mosfunksionimi i rezonancës në klinikën e onkologjisë e cila ishte prishur si pasojë e vërshimeve, shkruan Gazeta Shneta.
Ҫdo ditë punë në Klinikën e Radiologjisë është sfidë. Një sfidë kanë qenë listat e pritjes për shkak të rezonancave magnetike dhe kërkesave shumë të mëdha të rezonancës magnetike. Dihet që kur kam marr postin kam pasur 1 vjet listën e pritjes, po ashtu pas 6 muajve kemi pas një problem me njërën rezonancë që nuk na ka funksionuar për shkak të vërshimeve që kanë ndodhur me klinikën e onkologjisë dhe në këtë kohë asnjëri nga pacientët e listave nuk është kthyer mbrapa. Prej 16 janarit është funksionalizuar rezonanca në onkologji dhe së shpejti presim fillimin e punës së është në etapat e fundit rezonanca në spitalin e fëmijëve që do ta lehtësojë edhe një pjesë të madhe të punës. Për momentin, në klinikën e Radiologjisë, Rezonanca Magnetike, terminet për pacientët që vijnë, janë në fund të muajit tetor dhe fillim të muajit nëntor 2023,– u shpreh doktoresha.
Një sfidë tjetër sipas doktoreshës është edhe funksionalizimi komplet i qendrës së Neurologjisë ku do të mund të bëhen diagnostikime për të cilat shteti detyrohet të paguajë jashtë vendit.
Sfidë tjetër është edhe funksionalizimi komplet i qendrës së Neurologjisë ku do të punohet stroke center jo vetëm trombektomia mekanike është çështja, por është komplet diagnostika që është coiling, emobolizime, dëmtim të enëve të gjakut për të cilat ministria shpenzon shumë para për trajtime jashtë vendit. Jemi në rritje të numrit të stafit që merren me këtë procedurë dhe besoj që edhe këto së shpejti brenda vitit do t’i zgjidhim si situatë, – u shpreh tutje dr. Nuza.
Një ndër problemet me të cilat përballet QKUK-ja janë edhe terminet e gjata për pacientët. Lidhur me këtë problem sa i përket Klinikës së Radiologjisë doktoresha Shkëndije tregoi se është reduktuar numri i termineve në krahasim me vitet paraprake. Ajo ndau me ne informata lidhur me terminet në shërbimet që kryhen në këtë klinikë duke filluar nga rentgeni dhe ekzaminimet me radiografi që nuk kanë termine e deri te rezonancat magnetike.
Termine nëse do të quheshin termine një javë – 10 ditë. Unë nuk do t’i quaja termine. Rentgeni dihet që s’ka termine, ekzaminimet me radiografi nuk kanë termine. Biopsitë për momentin kanë termin 2-3 ditë, CT-jat 3-4 ditë ose 5 maksimalja, edhe pse kemi nga çdo qytet edhe pse qytetet e tjera kohët e fundit kanë aparate më të avancuara të CT-ve sesa QKUK-ja. CT-ja te emergjenca punon 24 orë, në neurologji 12 orë edhe me raste të rënda kur nuk mund të transferohen prej një klinike në klinikën tjetër shkon tekniku kryen ekzaminimin e nevojshëm. Listë pritjesh te ultrazëri i gjirit janë dy lloj ekzaminimesh dhe këta janë brenda muajit deri 10ditëshi i parë i muajit korrik, biopsitë po ashtu te gjiri shkojnë brenda javës. Doplleri është një muaj për pacientët ambulatorë, kurse spitalor 2-3 ditë.
Ekzaminimet me rezonancë magnetike për pacientët spitalorë nuk ka termine. Vendos klinicisti kë e ka prioritet për ta dërguar për ekzaminim. Fëmijët brenda dy jave, por pasi të kryhet rezonanca në pediatri do të jetë e hapur 5 ditë, mirëpo këtu varemi edhe nga anestezioni pasi shumicën e fëmijëve duhet të vihen në gjumë që të ekzaminohen saktë. Ekzaminimet me rezonance magnetike për pacientët ambulatorë janë në fund të muajit tetor dhe fillim të muajit nëntor. Pacientët të cilët kanë qenë të caktuar për muajin janar të vitit 2024, do të thirren për muajin shtator- tetor, pasi është evidentimi i listës dhe janë krijuar vendet e reja dhe puna me dy aparate e mundëson këtë, – tha më tutje doktoresha.
Shpeshherë kjo klinikë ngarkohet nga QKMF-të dhe spitalet rajonale. E pyetur lidhur me këtë çështje dr. Nuza tregoi se kjo klinikë brenda 24 orëve kryen 150-200 rentgene; që është një ngarkesë e madhe për stafin. Ajo thotë se QKMF-të duhet të marrin përgjegjësi për ekzaminimet të cilat mund të bëhen brenda atyre ambulantave që ato ekzaminime të kryhen në ambulantë ndërsa ato spitalore në klinikën e Radiologjisë.
Komuna e Prishtinës i ka tri rentgene të tjera nëpër Shtëpi të Shëndetit kështu që për ta liruar klinikën nga ngarkesa e madhe se brenda 24 orëve ndodh 150-200 rentgene mund të bëhen në 24 orë. 150 është mesatarja e përgjithshme që mund të bëhen në klinikë ekzaminime vetëm me rentgen, që është një ngarkesë shumë e madhe për stafin. Pasi ka kaluar pandemia është një çështje që duhet të zgjidhet dhe të marrin përgjegjësi pak për ekzaminime me rentgen pacientët ambulatorë është fjala që ekzaminohen në ambulanta të QKMF-ve. Ata t’i kryejnë ekzaminimet vetë, ndërsa pacientët që kërkojnë ekzaminime spitalore në ambulanta specialistike, ata do kryhen në klinikën e radiologjisë, – shtoi doktoresha.
Po ashtu ajo tregoi se edhe Spitali i Pejës ka një rezonance magnetike me të cilën mbulon qytetet përreth.
Është një numër shumë i madh i klinikave. Kërkesat janë të jashtëzakonshme sidomos rastet onkologjike referohen në QKUK. Rezonancë magnetike ka edhe Spitali i Pejës, i cili do të mbulojë Klinën, Deçanin dhe Istogun.
Një ndër çështjet më të diskutuara kanë qenë edhe mungesa e vizitave sistematike për stafin e klinikave. Këto vizita tashmë kanë filluar nga 1 qershori. Për këto vizita është hartuar një plan i detajuar dhe si proces pritet të zgjasë disa muaj, për shkak të numrit të madh të stafit. Doktoresha na tregoi se vizitave sistematike do t’u nënshtrohen të gjithë punëtorët e stafit dhe se këto vizita janë të ndara sipas klinikave.
Vizitat sistematike kanë filluar nga data 1 qershor është bërë planifikimi në detaje dhe ka filluar ekzaminimi sistematik. Dosjet do të shkojnë në Mjekësinë e Punës për Vlerësim. Kemi klinikat e radiologjisë, neurologjisë, pulmologjisë, biokimisë, psikiatrisë, kardiologjisë, oftamologjisë dhe ORL-ja. Të gjithë janë të kyçur për të tërë stafin e QKUK-së. Kjo do të zgjasë me muaj, sepse është një numër i madh i stafit. Ne i bëjmë zakonisht 30 punëtorë klinikës brenda ditës dhe klinika e radiologjisë ka ndarë pjesën e ambulantës specialistike ku ka kabinetin e rentgenit për ekzaminim të stafit. Ka filluar me Qendrën Klinike Stomatologjike dhe pastaj secila klinikë do të vazhdojë në ditët e veçanta të cilat janë caktuar. Asnjëri nga punëtorët nuk e ka lejen të ikën nga vizita sistematike. Secili duhet t’i nënshtrohet ose duhet të ketë arsye të fortë,- tha ajo.
Për fat të mirë kjo klinikë nuk ka mungesë aparaturash, mirëpo ka nevojë që t’i zëvendësojë disa prej tyre. Një zëvendësim i pajisjes së CT-së së Emergjencës pritet të ndodhë brenda këtij viti, i cili është donacion nga Ambasada Amerikane.
Mungesë nuk kemi, por kemi nevojë të zëvendësohen disa pajisje që janë më të vjetra. CT-ja e Emergjencës është e planifikuar të zëvendësohet nga një donacion nga Amabasada Amerikane dhe pritet të realizohet brenda këtij viti. Në vitin në vazhdim besoj edhe një rezonancë që ndodhet në onkologji do të zëvendësohet me një të re, pasi ka një periudhë të gjatë përdorimi, – përfundoi doktoresha Nuza./Gazeta Shneta/