Sot shënohet dita botërore e televizonit. Në kuadër të kësaj dite, Gazeta Shneta realizoi një intervistë më psikologun shkollor, Adis Shefkiu, mbi ndikimet që ka televizioni në zhvillimin e fëmijëve. Intervista u fokusua në aspekte emocionale, sociale dhe edukative, duke adresuar çështjet që prekin çdo prind dhe kujdestar.
Diskutimet përfshijnë efektet e ekspozimit të tepërt ndaj televizionit, pasojat e përmbajtjeve të dhunshme, ndikimin e kohës para ekranit në aftësinë e të mësuarit dhe këshilla praktike për krijimin e një ekuilibri të shëndetshëm mes televizionit dhe aktiviteteve të tjera, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas psikologut Shefkiu, koha e tepërt e kaluar para televizonit mund të ketë ndikime të dukshme dhe të shumëfishta në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve.
Si ndikon ekspozimi i tepërt ndaj televizionit në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve?
Koha e tepërt e kaluar apo ekspozimi i tepërt ndaj televizionit mund të ketë ndikime të ndryshme dhe të shumta në zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve. Ndikimi që mund të ketë nga ana emocionale, tek fëmijët që kalojnë shumë kohë para televizorit mund të bëhen më të ndjeshëm ndaj përmbajtjeve që shohin, si dhuna, shqetësimet apo emocione të tjera ekstreme. Kjo mund të shkaktojë stres, ankth apo frikë tek ta. Ndërsa nga ana sociale, koha e kaluar e tepërt ndaj televizionit ka efekete negative dhe mund të ndikojë negativisht në aftësinë e fëmijëve për të zhvilluar marrëdhënie të shëndetshme me bashkëmoshatarët e tyre. Ata fëmijë që kalojnë shumë kohë duke parë televizor mund të kenë më pak mundësi për të praktikuar aftësi sociale si bisedat, ndihmën e ndërsjellë dhe bashkëpunimin. Po ashtu, mund të zhvillojnë modele të pasakta sjelljeje, për shkak të imazheve që shohin në televizion, që ndonjëherë janë jo-realiste ose të dëmshme.
Psikologu tregon se përmbajtjet e dhunshme në televizion mund të rrisin agresivitetin tek fëmijët, duke i bërë ata të shohin dhunën si zgjidhje të pranueshme për konflikte. Gjithashtu, ato mund të shkaktojnë frikë dhe ankth, duke krijuar ndjesi pasigurie dhe stres.
Cilat janë pasojat e përmbajtjeve të dhunshme në televizion për sjelljen dhe qëndrimet e fëmijëve?
Përmbajtjet e dhunshme në të cilat ofrohen nga televizion mund të kenë pasoja të dukshme dhe serioze për qëndrimet dhe sjelljen e fëmijëve. Një nga efektet më të njohura është rritja e agresivitetit. Fëmijët që ekspozohen shpesh ndaj dhunës në media mund të fillojnë të shikojnë sjelljen agresive si një mënyrë të pranueshme për të zgjidhur problemet dhe konflikte. Kjo mund të çojë në sjellje të dhunshme ose të pasigurtë në jetën e tyre të përditshme. Pasojë tjetër është rritja e frikës dhe ankthit. Fëmijët që vazhdimisht shohin skena të dhunshme mund të fillojnë të ndihen të pasigurt dhe të frikësuar, duke mos pasur aftësinë për të dalluar mes realitetit dhe fantazisë. Kjo mund të shkaktojë çrregullime të gjumit, stres të tepërt dhe çrregullime të tjera emocionale. Në shumë programe, viktimat e dhunës janë shpesh grupe të caktuara etnike, racore ose sociale dhe kjo mund të çojë në paragjykime dhe diskriminim. Nga kjo fëmijët mund të zhvillojnë qëndrime negative ndaj grupeve të caktuara njerëzish, si pasojë e stereotipeve të përforcuara nga përmbajtjet televizive të dhunshme.
Sipas psikologut Shefkiu, koha e tepërt para televizonit mund të dëmtojë aftësinë e të mësuarit dhe përqendrimin e fëmijëve.
A ndikon koha e shpenzuar para televizorit në aftësin e të mësuarit dhe përqendrimin e fëmijëve në shkollë?
Po, koha e shpenzuar para televizorit mund të ndikojë negativisht në aftësinë e të mësuarit dhe përqendrimin e fëmijëve në shkollë. Kjo ndikon në disa mënyra tek fëmijët si ndikimi në ciklin e gjumit: Shpenzimi i tepërt i kohës përpara televizorit, veçanërisht pasdite ose në darkë, mund të çojë në probleme me gjumin. Dritat e forta të ekranit dhe angazhimi emocional që krijon televizioni mund të vonojnë adoleshentët dhe fëmijët të bien në gjumë dhe të ndikojnë në cilësinë e gjumit të tyre. Gjumi i pamjaftueshëm mund të ndikojë drejtpërdrejt në aftësinë e të mësuarit dhe përqendrimin e fëmijëve në shkollë. Fëmijët që kalojnë shumë kohë para televizorit mund të zhvillojnë vështirësi në përqendrim dhe qëndrim në një aktivitet për një periudhë të gjatë kohe. Shtimi i stresit dhe ankthit: Fëmijët që shohin përmbajtje që përmbajnë shumë ngjarje stresuese ose të ngarkuara emocionalisht, mund të kenë vështirësi në menaxhimin e emocioneve dhe përqendrimin në mësime.
A ka një orar optimal që fëmijë mund të shpenzojnë para televizorit pa ndikuar negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e tyre?
Ka një orar optimal që mund të ndihmojë në balancimin e kohës së shpenzuar para televizorit, pa ndikuar negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë
- Fëmijët e moshës 2 deri në 5 vjeç:
OBSH rekomandon që fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç të kalojnë jo më shumë se 1 orë në ditë para ekranit, dhe kjo kohë duhet të jetë e balancuar me aktivitete të tjera si lojëra jashtë, aktivitet fizik dhe angazhime sociale. Është shumë e rëndësishme që kjo kohë të jetë e përqendruar në përmbajtje edukative dhe që fëmijët të jenë të shoqëruar nga prindërit ose kujdestarët gjatë shikimit, për t’u siguruar që të kuptojnë dhe interpretojnë atë që shohin.
- Fëmijët 6-12 vjeç:
Për fëmijët më të mëdhenj, që janë në periudhën e shkollës fillore, rekomandohet që koha e ekranit të jetë e kufizuar në 1 deri në 2 orë në ditë. Kjo mund të përfshijë televizionin, përdorimin e kompjuterëve, telefonëve dhe tabletëve. Po ashtu, është thelbësore që kjo kohë të jetë e balancuar me aktivitete të tjera, si mësimi, aktivitetet fizike, dhe aktivitete kreative.
- Adoleshentët (13-18 vjeç):
Për adoleshentët, ndërsa është normale që ata të kalojnë më shumë kohë duke përdorur teknologjinë dhe duke konsumuar media, është e rëndësishme që kjo kohë të jetë gjithashtu e kontrolluar. Një kufizim i përgjithshëm prej 2-3 orësh në ditë është një sugjerim i zakonshëm, por kjo kohë duhet të përfshijë jo vetëm shikimin e televizionit, por edhe përdorimin e mediave sociale dhe video-lojërave. Po ashtu, prindërit duhet të inkurajojnë adoleshentët të angazhohen në aktivitete të tjera të shëndetshme, si sportet, aktivitete jashtë dhe angazhime sociale. Përveç kohës, është gjithashtu shumë e rëndësishme që prindërit të fokusohen në cilësinë e përmbajtjes që fëmijët konsumojnë. Përdorimi i kohës para ekranit për aktivitete që mbështesin zhvillimin edukativ dhe që stimulojnë kreativitetin dhe mendimin kritik është më i dobishëm se thjesht shikimi pasiv i televizionit. Fëmijët duhet të kenë të paktën 1 orë aktivitet fizik çdo ditë, për të mbajtur një shëndet të mirë fizik dhe për të zhvilluar aftësi motorike.
Në fund, ai ndau këshillat e tij për prindërit për të siguruar përdorimin e shëndetshëm të televizionit dhe mediave elektronike nga fëmijët.
Fëmijët duhet të përdorin televizionin dhe mediat elektronike në mënyrë të shëndetshme, prindërit mund të ndjekin disa këshilla të thjeshta dhe praktike që mendoj se janë të dobishme dhe nevojshme për këtë çështje:
- Të vendosni kufizime të qarta për kohën para ekranit:
Përcaktoni orare të qarta për shikimin e televizionit dhe përdorimin e pajisjeve elektronike. Rekomandohet që fëmijët të kalojnë një kohë të kufizuar para ekranit, dhe kjo duhet të jetë e balancuar me aktivitete të tjera. Prindërit mund të krijojnë një orar të ditës që përfshin aktivitete fizike, mësime, lojëra dhe angazhime sociale, për të siguruar që koha para ekranit të mos zëvendësojë aktivitete të tjera të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve.
- Angazhohuni së bashku aktivisht me fëmijët gjatë shikimit të televizionit:
Bëhuni pjesë e përvojës së shikimit së bashku me fëmijët tuaj. Shikimi i përmbajtjeve televizive së bashku është një mundësi për t’u siguruar që përmbajtja është e përshtatshme dhe për t’u ofruar mundësi për të diskutuar mbi temat që shihen.
- Përfshini aktivitete jashtë dhe kohë për të luajtur në natyrë:
Aktivitetet fizike janë thelbësore për zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve. Prindërit mund të inkurajojnë fëmijët të kalojnë kohë jashtë, duke luajtur sporte, duke bërë ecje ose duke marrë pjesë në lojëra fizike. Aktivitetet jashtë ndihmojnë për të kompensuar kohën që kalon para televizorit dhe i japin mundësi fëmijëve të zhvillojnë aftësitë motorike dhe sociale.
- Sigurohuni që koha e ekranit të mos ndikojë në gjumë:
Përdorimi i televizionit dhe pajisjeve elektronike, veçanërisht para se të flini, mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit të fëmijëve. Ekranet me dritë të fortë mund të pengojnë prodhimin e melatoninë, një hormon që ndihmon për të rregulluar ciklin e gjumit. Prindërit duhet të sigurohen që fëmijët të mos kalojnë kohë të shpenzuar para ekranit të paktën 1 orë para gjumit, dhe t'i ndihmojnë ata të zhvillojnë rutina të shëndetshme gjumi.
- Bisedoni me fëmijët për ndikimet e televizionit:
Është shumë e rëndësishme që prindërit të kenë biseda të hapura dhe të sinqerta me fëmijët e tyre mbi ndikimin e mediave dhe përmbajtjen që ata shohin. Kjo mund të përfshijë biseda rreth vlerave që programet dhe lojërat transmetojnë, si dhuna, stereotipat dhe temat e tjera të ndjeshme. Kjo mund të ndihmojë fëmijët të zhvillojnë një aftësi kritike për të filtruar përmbajtjen që shohin./ Gazeta Shneta/


