Menaxhmenti i SHSKUK-së gjatë vitit që lamë pas ka deklaruar se kanë investuar në pajisje qindra mijëra euroshe në Klinikën e Syve, por në fakt numri i pacientëve të referuar për trajtim jashtë institucioneve private nga kjo klinik nuk është zvogëluar por është rritur.
Këtë rritje e ka konfirmuar drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Fatmir Plakiqi, i cili ka thënë se rënie të referimit të pacientëve për trajtim jashtë vendit ka nga Klinika e Kardiologjisë.
“Sa i përket numrit, numri është afërsisht i njëjtë me një lëvizshmëri, ose ndryshim te pjesa e kardiologjisë, aty kemi numrin në rënie ndërsa numri në rritje që kemi vërejtur na është te pjesa që kanë referuar klinika e Oftalmologjisë, poashtu numër në rritje kemi edhe te klinika e Pediatrisë, që vetëm ndoshta këto dyja dhe ortopedia janë diku mbi 50 për qind me gjitha referimet që janë bërë nga QKUK-ja”, tregoi ai.
Gjatë vitit 2019 nga fondi i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtim jashtë vendit kanë përfituar 1404 pacientë, nga 1436 sa kishin aplikuar.
“Janë diku gjithsej 1436 pacientë që kanë kërkuar, kanë aplikuar tek ne për trajtim jashtë, prej tyre dmth 1404 kanë përfituar nga programi, janë aprovuar kërkesat e tyre. Ndërsa siç jeni të njoftuar 100 pacientë ne kemi plotësuar ndoshta për herë të parë pas shumë viteve numrin për pacientë falas që kemi marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, që ky numër është plotësuar qysh në muajin nëntor, kemi plotësuar 100 pacientë falas. Dmth si total është numri prej 1404, ka pasur edhe refuzime disa nga to, për shkak të mos kompletimit ose sjelljes së gjithë dokumentacionit përkatës ka pasur refuzim nga pjesa e bordit, nga pjesa e komisionit mjekësor. Por kjo shihet se ne kemi aprovuar për vitin 2019”, tha Plakiqi për Ekonomia Online.