Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka vlerësuar se qasja e ministrit aktual, Arben Vitia, nuk ka sjellë rezultatet e pritura, pavarësisht mbështetjes së madhe parlamentare që ka pasur nga partia në pushtet.
Ai konsideron se fokusi ka qenë më shumë në improvizime ligjore sesa në zbatimin e ligjeve ekzistuese, të cilat ishin pjesë e një reforme të menduar mirë për sistemin shëndetësor.
“Sa i përket punës së ministrit aktual, duhet thënë se qasja e tij nuk ka sjellë rezultatet e pritura kur të kemi parasysh mbështetjen e madhe parlamentare nga partia që ishte në pushtet, sepse është fokusuar më shumë në improvizime ligjore sesa në zbatimin e ligjeve ekzistuese që ishin pjesë e reformës mirë të menduar sistemore të shëndetësisë”, tha ish- ministri Agani.
Agani e sheh legjislacionin aktual si plotësisht të mjaftueshëm për nisjen e reformave, por thekson se ka munguar vendosmëria për zbatim, duke sjellë në vend të progresit një sërë paqartësish.
Si shembull të mungesës së vizionit, ai përmend edhe mos themelimin e Odës së Psikologëve Klinikë, duke lënë të parregulluar një sektor të rëndësishëm të shëndetit mendor.
“Legjislacioni në fuqi ka qenë dhe është plotësisht i mjaftueshëm për të filluar reformat e nevojshme, por ka munguar vendosmëria për ta zbatuar. Kjo ka bërë që, në vend të progresit të qëndrueshëm, të kemi improvizime që krijojnë edhe më shumë paqartësi”, deklaroi Agani për FrontOnline.
Sipas tij, gjendja e shëndetësisë në Kosovë është shqetësuese, pasi edhe pas më shumë se një dekade nga miratimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor, sistemi publik i sigurimit ende nuk është funksionalizuar.
Intervistën e plotë të ish-ministrit Agani mund të gjeni këtu.




