Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi. Deputetët e pozitës dhe opozitës e kanë kritikuar për vonesat e furnizimit me barna nga Lista Esenciale, si dhe për mosfunksionimin e Sistemit Informativ Shëndetësor
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka raportuar sot para Komisionit për Shëndetësi të Kuvendit të Kosovës. Kryetarja e Komisionit, deputetja e PSD-së Besa Baftiu, e ka hapur mbledhjen me kritika ndaj Ismaili për mungesën e barnave. Ajo ka deklaruar se edhe pas 6 muaj kohë sa i kishin dhënë ministrit, ende nuk është realizuar as 50 për qindëshi i furnizimit nga Lista Esenciale. Këto vonesa Baftiu i ka konsideruar si të pajustifikueshme, shkruan Gazeta Shneta.
Ismaili është arsyetuar se Lista nuk ka pësuar asnjëherë revidim dhe nuk ka pasur planifikim real sa i përket shpenzimit të barnave. Ai ka thënë se në dhjetor të vitit të kaluar, 70 për qind e barnave nuk kanë pasur fare kontratë, e të cilat megjithatë kanë vazhduar të blihen nga MSH-ja.
“Ne kemi deshtë me bo furnizim të spitaleve, mirëpo nuk kemi deshtë me vazhdu një keqpërdorim i tillë që ka ndodhur. E kemi kuptu që kemi me pas zbrazëtirë, por unë si ministër është dashur t’i ndal disa apetite të mëdha në kurriz të qytetarëve. Nuk ka qenë e lehtë sepse ka pasur zëra që më kanë thënë nënshkruaj kontratat sepse do ta kemi një gjendje shumë të vështirë”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka shtuar se gjatë muajit qershor është përmbushur 65 për qind e Listës Esenciale me kontrata, ndërsa 25 për qind janë në procedurë dhe 10 për qind janë anuluar. Sipas Ismailit, MSh me vetëm 30 produkte të blera këtë vit ka arritur t’i kursejë rreth 1 milion euro.
Ismaili ka theksuar problem ende mbetet zinxhiri i distribuimit nga Barnatorja Qendrore nëpër klinika dhe spitale. Ai ka thënë se gjendja në barnatore dhe depo është katrahurë dhe për këtë ka filluar një projekt për rehabilitimin e tyre. Ai ka thënë se ka individë, duke aluduar në mjekë, se nuk po pranojnë t’i lëshojnë disa dhoma për të vendosur barnatoret nëpër reparte. Ministri ka deklaruar se disa prej tyre kanë krijuar “mbretëri” nëpër reparte dhe për këtë po marrin masa.
Ismaili ka shtuar se revidimi i Listës është duke u bërë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe në fund të korrikut do të shpallet thirrja për barnat të cilat do të futen në listë.
Ministri sërish ka thënë se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të funksionalizohet brenda 2 viteve të mandatit të tij, ndërsa ka shtuar se urgjente është realizimi i projektit për mbështetjen e pacientëve me barna jashtëspitalore çka synon ta përfundoj deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka kritikuar ministrin për mbajtjen e pozitave udhëheqëse në MSH me ushtrues detyre. Ai ka deklaruar se sa i përket SISH-it, është vonuar për shkak të interesave të brendshme. Hoti poashtu ka ngritur shqetësimin e ikës së personelit mjekësor nga Kosova në mungesë të kushteve dhe pagave.
Më të ashpër ndaj Ismailit janë shfaqur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ai i LDK-së, Haxhi Avdyli. Ky i fundit ka thënë se Ismaili po merret me pasoja pa shkuar te thelbi i politikave të shëndetësisë dhe reformat. “Po merreni me probleme ad hoc, por nuk po shohim një reformë shëndetësore e cila do të duhej të kishte filluar para jush dhe të vazhdonte pas jush. Hapi i parë i reformës është SISH-i dhe kjo po shkon drejt kthimit në pikën zero. Pa SISH planifikimet janë të mangëta sepse nuk bazohen në të dhënat reale të shërbimeve shëndetësore”, ka deklaruar Avdyli.
Haxhiu në anën tjetër ka thënë se furnizimi me barna kurrë nuk ka qenë më keq në spitalet publike dhe poashtu vonesa në revidimin e Listës Esenciale. Për këto dy çështje, Haxhiu e ka vlerësuar me notë negative bashkëpartiakun e tij në krye të MSH-së. Haxhiu ka folur edhe për problemin e insulinave duke ngritur edhe dyshime për biznese të individëve brenda MSH-së me këtë produkt medicinal.
Ismaili iu është përgjigjur kritikave duke thënë se po punon për të funksionalizuar sistemin e shëndetësisë, duke marr shembull shërbimin 24 orësh në Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe Onkologjisë. Ai ka kërkuar nga deputetët që nëse kanë fakte për keqpërdorime brenda MSH-së, ta njoftojnë atë. Ismaili ka thënë se pilotprojekti për SISH-in do të ndërpritet përfundimisht dhe do të fillohet nga pika zero me investime të Qeverisë. /Gazeta Shneta/