Familjes Ramadani nga Gjilani po pretendojnë se nëna e tyre u bart me vonesë nga autoambulanca për në spitalin e këtij qyteti, që sipas tyre, kjo qe arsyeja që ajo ndërroi jetë në mëngjesin e të premtës.
Familjarët thonë se shoferi i autoambulancës u fut në një rrugë dytësore përgjatë transportimit të pacientes, për të shfrytëzuar kohën për t’ia uruar të afërmve festën e Bajramit, raporton KTV.
Mirëpo mjeku kujdestar i mohon akuzat, i cili ishte duke ia ofruar ndihmën pacientës derisa transportohej për në Spital të Gjilanit.
E thirrur për të ofruar shërbimin emergjent mjekësor, autoambulanca në Gjilan nuk e kreu punën e saj si duhet, ankohet familja Ramadani.
Të premten në mëngjes, familja e thirri shërbimin emergjent për të bartur nënën e tyre, së cilës iu përkeqësua gjendja shëndetësore.
Por Agim Ramadani po pretendon se nëna e tij tashmë e ndjerë u transportua me vonesë nga autoambulanca për në Spitalin e Gjilanit.
Ishin nisur së bashku me autoambulancën në drejtim të spitalit të qytetit, por përveç se kishte arritur para ambulancës, familja kishte pritur edhe rreth 15 min para spitalit.
Ramadani thotë se në autoambulancën e cila e transportoi nënën e tij ishte edhe mbesa e tij, e cila iu kishte treguar se si autoambulanca e devijoi rrugën kryesore dhe shoferi, gjatë rrugës, bëri një ndalesë.
E derisa Ramadani ka paralajmëruar se rastin do ta denoncojë në polici, mjeku kujdestar, i cili ia ofroi ndihmën nënës së Ramadanit, mohon se autoambulanca u ndal rrugës. Por nuk e mohon faktin se u shfrytëzua një rrugë alternative për të arritur te spitali.
Ndërsa në Spitalin e Gjilanit, përkatësisht në Klinikën e Neurologjisë, mjekët nuk kanë dhënë informacione për gjendjen, në të cilën është pranuar pacientja. Ata kanë thënë se u duhet më shumë kohë për të shikuar historinë e pacientes.