Rreth 200 milionë njerëz në botë jetojnë me degjenerim makular të lidhur me moshën (AMD), një gjendje që dëmton shikimin qendror. Shumica kanë formën e thatë të AMD-së, e cila zhvillohet natyrshëm me moshën, kur dëmtohet pjesa qendrore e retinës (makula). Forma tjetër, ajo e lagësht, ndodh kur formohen enë të reja gjaku që dëmtojnë makulën.
Faktorët e rrezikut për AMD ndahen në të pandryshueshëm (si gjenetika dhe mosha) dhe të ndryshueshëm (si ushqyerja, duhanpirja, pesha dhe aktiviteti fizik). Një dietë e pasur me antioksidantë, vitamina dhe acide yndyrore omega-3 mund ta ulë rrezikun, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Një studim i ri nga Kina, i publikuar në “Food Science & Nutrition”, ka zbuluar se gjenetika në kombinim me konsumimin e kafesë së gatshme (lloj kafeje që vjen në formë pluhuri ose granula dhe tretet direkt në ujë të nxehtë, pa pasur nevojë për zierje), mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për të zhvilluar AMD të thatë.
Studiuesit analizuan të dhënat nga më shumë se 500,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe të dhënat për AMD nga Finlanda, duke përdorur metoda statistikore gjenetike të avancuara.
Ata zbuluan se personat me predispozitë gjenetike për konsum të kafesë së gatshme kishin rreth shtatë herë më shumë rrezik për të zhvilluar AMD të thatë. Ky lidhje nuk u gjet me format e tjera të kafesë dhe as me AMD-në e lagësht.
Sipas autores kryesore, Dr. Siwei Liu, këto gjetje ofrojnë një perspektivë të re për mënyrat e personalizuara të parandalimit, duke përfshirë ndërhyrje të bazuara në profilin gjenetik. Kërkime të mëtejshme pritet të konfirmojnë këto rezultate dhe të kuptojnë më mirë mekanizmat biologjikë në lojë. /Gazeta Shneta/


