Shumica e njerëzve e dinë se pijet e ëmbëlsuara me sheqer, si p.sh. pijet me gaz, nuk janë domosdoshmërisht zgjedhja më ushqyese. Tani, një hulumtim i ri ka zbuluar një rrezik të mundshëm tjetër shëndetësor të lidhur me këto pije të ëmbla—kancerin e zgavrës së gojës.
Studimi i ri, i publikuar muajin e kaluar në “JAMA Otolaryngology–Head & Neck Surgery”, gjeti një lidhje mes konsumimit më të madh të pijeve të ëmbëlsuara me sheqer dhe një rreziku më të lartë për kancer të zgavrës së gojës (OCC) tek gratë, shkruan burimi Health përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit përdorën të dhëna nga 162,602 gra, prej të cilave 124 zhvilluan OCC.
Ata zbuluan se rreziku për OCC ishte 4.87 herë më i lartë tek gratë që konsumonin të paktën një pije të ëmbëlsuar me sheqer çdo javë, krahasuar me ato që pinin më pak se një të tillë në muaj.
Ky rrezik i lartë për kancer ishte i pranishëm pavarësisht nëse gratë kishin sjellje të tjera jo të shëndetshme si pirja e duhanit apo konsumimi i alkoolit. Tek gratë që nuk përdornin duhan apo alkool, konsumimi i të paktën një pije të ëmbël në ditë lidhej me 5.46 herë më shumë rrezik për OCC, krahasuar me ato që pinin më pak se një në muaj.
OCC i referohet kancereve që zhvillohen në gojë, përfshirë gjuhën, mishrat e dhëmbëve apo bajamet. Kjo formë kanceri haset më shpesh tek burrat dhe tek ata që pinë shumë alkool ose përdorin produkte të duhanit. Në SHBA pritet të shfaqen afro 60,000 raste të reja me kancer të zgavrës së gojës dhe të orofaringut (fytit të mesëm) në vitin 2025.
Por në mbarë botën, ekspertët kanë vërejtur një “rritje të rasteve me kancer të gojës tek gratë jo-duhanpirëse,” tha për Health, autorja e studimit, Dr. Brittany Barber, profesoreshë në Departamentin e Otolaringologjisë në Universitetin e Uashingtonit.
Ky studim mund të shërbejë si pikënisje për hulumtime të ardhshme që do të shqyrtojnë nëse dieta ushyqese mund të jetë pas kësaj rritjeje. /Gazeta Shneta/


