Kandidati pretendon se u ndryshuan listat në konkursin për infermier në Spitalin e Gjakovës, menaxhmenti e mohon

2021-11-23 në ora 16:52

Konkursi për infermierë në Spitalin e Gjakovës po dyshohet se është përcjellë me parregullësi. Një kandidat po pretendon se listat me emra të kandidatëve që kanë dështuar në test, janë ndryshuar dhe disa kandidatëve iu janë shtuar pikët. Menaxhmenti i spitalit e ka mohuar se ka pasur parregullësi në konkurs.

Në tetor të këtij viti Spitali Përgjithshëm i Gjakovës njoftoi për konkursin për pranimin e 20 infermierëve, nga ky numër kërkoheshin 15 infermierë të përgjithshëm me bachelor dhe 5 infermierë të përgjithshëm më shkollë të mesme. Për 20 vende pune, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, tha se kanë aplikuar rreth 130 kandidatë.

Aktualisht, procesi i këtij konkursi ka shkuar në fazën e paraqitjes së ankesave, pasi komisioni vlerësues ditë më parë ka përzgjedhur 20 infermierë për punësim.

Por, përzgjedhja e këtyre infermierëve po përcillet me pakënaqësi nga ana e disa kandidatëve që mbetën jashtë listës.

Sipas një kandidati, që kërkoi të mbetej anonim, përgjigjet e sakta komisioni ua ka llogaritur si të pasakta. Ai thotë se në punë janë pranuar kandidatë me 24 pikë në testin me shkrim, anipse thotë se kriter ishte që kandidatët të kishin mbi 25 pikë.

“Jemi të pakënaqur sepse na u ka bërë padrejtësi. Së pari, çka ka qenë padrejtësi, ka dalë se në listë ka shkru se vetëm kandidatët që kanë mbi 25 pikë do të ftohen në intervistë, edhe pas pesë minutash janë ndërru listat është heq ai shkrim dhe janë pranu kandidatët që i kanë 25 pikë dhe 24 pikë dhe jo vetëm që janë ftu në intervistë por edhe janë pranu. Ne e dimë sesi jemi përgjigj, i kemi dhënë përgjigjet e sakta dhe rezultati ka dalë demek nuk kemi ditë ne”, tha ky kandidat për Express.

Për këto pretendime, Gazeta Express ka biseduar me kryetarin e komisionit vlerësues Afrim Sylejmani, por, i njëjti ka thënë se nuk i komenton deklaratat e kandidatëve që nuk janë pranuar, duke shtuar se këtë punë ia lë në dorë komisionit për shqyrtimin e ankesave.

“Këtë nuk e komentoj është çështje e komisionit të ankesave, kur i shqyrton ai e jep vlerësimin”, tha Sylejmani.

Tutje, kandidati që nuk u pranua në këtë konkurs tha se ka bërë ankesë bashkë me shumë kolegë të tij, dhe sipas tij personat që janë pranuar janë familjarë të personelit të spitalit apo të zyrtarëve të lartë. Madje thotë se nëse komisioni i ankesave nuk merr masa, emrat e të punësuarve me lidhje familjare do t’i dërgojë në organet e drejtësisë.

“Kur i kanë mbajt evidencat, sa kemi ditë, na e kemi pa në fillim na kanë vlerësu me pikë maksimale. Por kur e kanë qitë rezultatin ato pikë na kanë humb dhe na kanë qitë me pikë minimale.Na i kanë hek pikët, ankesën e kemi bërë te komisioni i ankesave, por hala nuk janë bë 15 ditë po presim dhe po ashtu nëse nuk e shqyrtojnë komisioni i ankesave do të shkojnë faktet tona në organet e drejtësisë. 95% të të pranuarve janë familjarë ose të personelit të spitalit ose të zyrtarëve të lartë. Nëse komisioni nuk i merr parasysh ankesat tona, emrat do t’i dërgojmë te organet e drejtësisë”, përfundoi ky kandidat.

Por, kryetari i komisionit, Afrim Sylejmani, e mohon se në punë janë pranuar infermierë me lidhje familjare.

“Jo nuk është qashtu, por është në të drejtën e tyre me u anku, me shpreh pakënaqësitë. Ndoshta me qenë konkurrent edhe unë isha nda i pakënaqur që nëse nuk muj me mbërri atë konkurrencë, por nuk është ashtu, megjithatë t’ia lëmë komisionit ta vlerësojë situatën…Jo kjo nuk është e vërtetë, ka një komision që do t’i verifikojë një për një dhe janë në procedurë administrative që parashohin ligjet për rekrutim të stafit, kështu që gjithçka është konform ligjeve dhe procedurave administrative. Por, gjithsesi komisioni i ankesave ka me shqyrty një për një dhe bazuar në fakte do të ndërmarrë qëndrime”, tha Sylejmani.

Dyshimet e kandidatëve se konkursi u përcoll me parregullësi, Sylejmani i vlerëson si të pritshme nga ata kandidatë që nuk kanë arritur të pranohen. Teksa thekson se procesi është monitoruar nga sindikata.

“Ky është proces administrative d.m.th., për 20 vende kanë konkuru diku 130 kandidatë. Është krejt e pritshme me që ata që se kanë fitu të drejtën dhe s’kanë mujt me hy në atë konkurencë me kanë të pakënaqur, por tash jemi në procedurë administrative, ata e kanë të drejtën e ankesës, është komisioni ai që i vlerëson. Në këtë fazë nuk jam i prirur me komentu, sigurisht komisioni ka me thënë fjalën e vetë, unë kujtoj që ka qenë proces i përzgjedhjes i rregullt, ka qenë i monitoruar dhe rezultatet janë korrekte. Është monitoru nga sindikata, çdo takim që kemi pasur, çdo lëvizje, çdo punë e kemi bërë bashkërisht përmes pjesëmarrjes së sindikatës në çdo process”, u shpreh Sylejmani për Express.

Ndërsa, Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, pretendimet e kandidatëve i quan thashetheme.

“Unë jam drejtor, nuk kam qasje në komision. Ma transparent që ka qenë ky konkurs, këto janë thashetheme të 110 personave që janë kthy në shtëpi, 20 i kemi pranu. Vetëm për 20 kemi pas vende të lira, 130 kanë konkuru, 110 janë kthy në shtëpi, më vjen keq shumë për ta. Janë diskualifiku për shkak që s’kemi pas vende. Unë me thashetheme nuk isha marrë”, tha Shala për Gazetën Express.

Sipas tij, në këtë konkurs nuk janë hasur parregullësi dhe procesi është monitoruar.

“Unë personalisht i kam lajmëru të gjitha instancat e policisë, gjyqësisë, drejtësisë që të mbikëqyret e monitorohet ky proces…Duke parë që ka pas konkurencë shumë dhe vende të lira janë pak, keni të drejtë me shiku dokumentacionet, gjithçka është e hapur dhe transparente”, u shpreh më tej Shala.

Tutje, kandidatët janë ankuar se në mesin e të përzgjedhurve nuk janë ata infermierë të cilët janë angazhuar në spital gjatë pandemisë, sipas tyre nga 6 infermierë që kanë punuar në vijën e parë të frontit, vetëm një është punësuar nga ky konkurs.

Kandidatët e pakënaqur kanë thënë se parregullësitë që i kanë hasur në këtë proces të konkursit i kanë raportuar edhe në Policinë e Kosovës dhe sipas tyre, departamenti i Krimeve Ekonomike po e trajton rastin. Por, policia nuk e ka konfirmuar për Gazetën Express nëse kanë nisur hetimet për këtë rast.

Express ka dërguar pyetje në polici për të konfirmuar nëse Krimet Ekonomike po i trajtojnë ankesat e kandidatëve, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërsa nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, në pyetjet e parashtruara nga Express kanë këkruar të citohet drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, sipas përgjigjes së tyre “procesi ka qene transparentë dhe i monitoruar, i gjithë dokumentacioni është në dispozicioni për gjithë kandidatët dhe palët e interest”.

Në pyetjen se a mund të anulohet konkursi pas këtyre ankesave, drejtori i spitalit ka thënë se konkurset anulohen vetëm ne rastet kur nuk zbatohen apo përfillen dispozitat ligjore.

“Kandidateve të pakënaqur me rezultatin i është dhënë këshilla juridike me te drejte ankese 15 dite nga dita e publikimit rezultatit. Ankesa dorëzohet ne Zyrën e Burimeve njerëzore për Komisionin e Ankesave ne Spitalin e Përgjithshëm Gjakovë. Te gjitha ankesat do te shqyrtohen një nga një. Çdo gjë ka qene transparentë duke u bazuar ne legjislacionin ne fuqi për konkurse, konkurset anulohet vetëm ne rastet kur nuk zbatohen apo përfillen dispozitat ligjore”, thuhet në përgjigjet e drejtorit Shala, të cilat SHSKUK ia ka dërguar Gazetës Express.