Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk ka paraparë rritje të numrit të rasteve me Covid-19 deri më 26 nëntor.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Shneta. Pas kësaj date IKSHPK pritet ta dërgoj në MSH analizën me projeksionet e reja.
“Projeksionet për periudhën deri më 26 nëntor kanë qenë se numri i të sëmurëve nga COVID-19 do të varioj në limtet aktuale, ndërsa numri i vdekjeve nga zero raste deri në deri një vdekje brenda ditës.Pas kësaj date, IKSHPK do të dërgoj në MSh analizën e re me projeksionet e reja”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga kjo ministri kanë deklaruar se vendosja e masave të reja do të jetë e bazuar në situatën epidemiologjike.
“Ekipet e IKSHPK po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut”.
“Pjesëmarrja në gjurmimin e kontakteve dhe hulumtimin e grupeve specifike (shkolla, çerdhe, institucionet për përkujdesje të të moshuarve, grupeve vulnerabile, institucionet lokale publike dhe private, et.) janë aktivitete të bashkëpunimit me shtabet komunale në mbikëqyrjen e COVID-19 dhe të ndërprejë zinxhirin e përhapjes dhe bashkë me vaksinimin janë aktivitete parandaluese”, kanë deklaruar nga MSH.
Zyrtarët e MSH-së kanë thënë se janë në kontakt me kompaninë Pfizer, por stoku i dozave të vaksinave për momentin është i qëndrueshëm dhe mund të fillojnë me administrimin e dozës së tretë.
“MSH është në kontakt me Pfizer dhe sipas vlerësimeve që do të jap Komisioni për negocimin e vaksinave do të veprojë. Për momentin stoku me vaksina është i qëndrueshëm dhe ka sasi të konsiderueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve për vaksinim, përfshirë edhe vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë”, kanë deklaruar nga MSH. /Gazeta Shneta/