Infermierja Nazmie Salihu-Bllaca, kandidate në konkursin për infermiere në SHSKUK ka dorëzuar një ankesë ku pretendon se nuk është vlerësuar drejt dhe barabartë me kandidatët tjerë, shkruan Gazeta Shneta.
Salihu-Bllaca ka kërkuar që të rishqyrtohen listat e kandidatëve ose të anulohet konkursi pasi ajo pretendon se i është bërë e padrejtë kur është vlerësuar me pak pikë në intervistë.
“Pas publikimit të listave të rezultateve përfundimtare kam vërejtur që shumica e kandidatëve përfshirë edhe mua, kemi pasur maksimum të pikëve në testin me shkrim dhe në listën përfundimtare janë pranuar kandidatët me më pak pikë në test”, ka shkruar ajo në ankesën të cilën e ka dorëzuar në QKUK më datë 11 shtator 2024.
Salihu-Bllaca ka punuar si infermiere që nga viti 2014 në Kryqin e Kuq në Gjilan e më pas edhe në QKMF.
“Si ka mundësi që komisioni të më vlerësoj me vetëm 17.6 pikë në intervistimin tim të cilin nuk ka pasur asnjë ngecje”, ka shkruar ajo.
Madje Salihu-Bllaca është e gatshme të intervistohet edhe përballë kamerave.
“Ju lutem për hir të korrektësisë, organet kompetente të ripërsëritin konkursin dhe intervistimi ynë të bëhet përballë kamerave”, ka shkruar ajo në ankesë.
Gazeta ka raportuar edhe ditë më parë për disa dyshime të ngritura me dy kandidatë për infermierë në degët kirurgjike. Të dy kandidatët kishin rënë në testin me shkrim, njëri 12 e tjetri 21 pikë. Por pas rishikimit të testeve, pikët e tyre shkuan në 60 dhe më pas u pranuan në punë. /Gazeta Shneta/
Dy infermierë që s’e kaluan testin me shkrim, iu trefishuan pikët dhe u pranuan në QKUK




