Kardiologu kosovar Prof. Dr. Gani Bajraktari ka analizuar një lajm të publikuar në disa media me titull “Kardiologu më i famshëm i zemrës Prof. Dr. Zhan Mitrev jep recetën e jashtëzakonshme për zemrën dhe kancerin”.
Bajraktari ka thënë se ky lajm dhe kjo recetë janë mashtrim dhe për këtë do të duhej të reagonte vet mjeku i parafrazuar në artikull, transmeton Gazeta Shneta.
Lexoni analizën e plotë të Bajraktarit:
OPINION
Shqiptarët duket të jenë populli më unikal në botë sa i përket besimit KUTURU
Lexova në një portal një titull:
“Kardiologu me i famshem i zemres Prof.Dr. Zhan Mitrev jep receten e jashtezakonshme per Zemren Dhe Kancerin”
Dhe kalimthi e analizova titullin. Ky titull i shkruar komplet mbrapsht, e kishte pothuajse çdo fjalë të pavërtetë, të pasaktë, të imagjinuar, të paverifikuar, palidhje, etj:
“KARDIOLOGU” – ky mjek nuk është kardiolog, është kirurg!
“ME I FAMSHEM” – ku është më i famshëm, në një lagje, në një krahinë, në një shtet, në Europë, në Botë? A klasifikohen mjekët ndokund në botë? A di ndokush cili është kardiologu më i famshëm në Gjermani? JO! Nuk ka rangim të mjekëve si të karatistëve, bie fjala.
“I ZEMRES” – fjalë kot, sepse kardiologu është mjek i zemrës, nuk mund të jetë i zorrës, bie fjala.
“JEP RECETEN” – kujt ia dha receten? Ku është patentuar kjo recetë? Në cilën revistë shkencore është publikuar? A ka bërë hulumtim të randomizuar shkencor për këtë recetë? Përgjigja në krejt këto pyetje është JO, dhe si e tillë kjo fjalë quhet gënjeshtër, mashtrim (mbase jo nga kolegu, por nga mediet mediokre “klikuese”).
“E JASHTEZAKONSHME” – çfarë nënkupton e jashtëzakonshme? E jashtëzakonshme mund të jetë edhe palidhje!
“PER ZEMREN DHE KANCERIN” – mirë për zemrëm meqë qenka mjek zemre (anipse deri tani e verifikuar është vetëm “Dieta Mediterane”), por si u përcaktua e njëjta dietë dhe për kancerin?!
Pra një njeri me shkollim mesatar do të duhej, normalisht, të kuptonte se ky është një shkrim mashtrues, që nga titulli!
Kur lexon pastaj përmbajtjen e shkrimit e shef se aty është një propozim kot, komplet i PAVERIFIKUAR SHKENCERISHT, pa asnje te dhene shkencore (dyshoj se është bërë nga doktori, sepse një doktor i famshëm nuk mund të bie në një sharlatanizëm të tillë për të dhënë një dietë të pavëretetuar shkencërisht)!!
Dhe kjo do të ishte asgjë po të mos bëja një kërkim në internet me fjalët kyçe: Kardiologu, Zhan Mitrev, receta Per Zemren Dhe Kanceri!
Rezultati ishte i tmerrshëm: Aty gjen 1040 rezultate, pra 1040 portale, rrjete sociale, gazeta, etj… kanë shpërndarë këtë lajm për një dietë komplet të paverifikuar (dieta të tilla KUTURU mund të bëjmë çdonjëri nga ne për 10 minuta)!
Nëqoftëse futesh pak në ndonjë nga këto portale dhe shef komentet e shqiptarëve me fjalë superlative për dietën që fare se kanë provuar dhe për mjekun që fare nuk e njofin, tmerrohesh akoma më shumë!!
Respekt për këtë kolegun (që unë nuk e njof fare, i cili në google scholar kishte numër të konsiderueshëm punimesh shkencore, por shumë më pak se unë dhe disa kolegë të mi kosovarë), i cili mund të jetë një kirurg i shkëlqyer i zemrës.
Pra, ky shkrim i imi nuk është aspak i drejtuar kundër këtij mjeku si profesionist, anipse ai do të duhej të reagonte kundër portaleve që kanë lansuar një shkrim të tillë!!
E dhimbshmja e krejt kësaj është se sa shumë besojnë shqiptarët në secilin lajm PA E ANALIZUAR FARE!
A mund të këtë këtu ndonjë shkak apo arsye tjetër, përveq se ne si komb lexojmë pak?