Ministria e Shëndetësisë ka emëruar gjatë ditës së djeshme një Bord të ri për menaxhimin e pandemisë, i cili kryesohet nga Prof. Lul Raka.
Në këtë bord ministri Zemaj ka rikthyer dy profesorët e pensionuar Isuf Dedushaj dhe Muharrem Bajramin, të cilët kishin qenë të angazhuar si këshilltar të ish-ministrit Arben Vitia, por me largimin e tij profesorët nuk ishin ftuar më, shkruan Gazeta Shneta.
Në bord janë edhe Prof. Salih Ahmeti, Rukije Mehmeti, Isme Humolli, Xhavit Rexhaj, Xhavit Gashi, Pashk Buzhala, Besim Kodra, etj, ndërsa nuk është emëruar asnjë anëtar nga Klinika e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv ku po trajtohen rastet e rënda me Covid-19.
Por ky është bordi i katërt i formuar për menaxhimin e pandemisë. MSH ka edhe një komitet aktiv për koordinimin e situatës me Covid-19, ndërsa para një muaji edhe Qeveria pati emëruar një komitet ekzekutiv me dhjetëra anëtarë për pandeminë. Aty bëjnë pjesë disa anëtarë të njëjtë të cilët janë në dy komitetet e lartëcekura.
Ndërkaq edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka një komitet të vetin për menaxhimin e pandemisë. /Gazeta Shneta/