Sot mbushen katër vjet që kur në Kosovë u regjistrua personi i parë që ndërroi jetë si pasojë e sëmundjes infektuese koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte njoftuar se bëhej fjalë për një pacient 82-vjeç nga Dumnica e Podujevës.
“Pacienti i lindur më 1938, fshati Dumnicë, Komuna e Podujevës, është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020, në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas. Pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, dy rastet e para pozitive me koronavirus në Kosovë u regjistruan më 13 mars 2020. Deri më tani janë prekur mbi 270 mijë persona, ndërsa kanë vdekur mbi 3200 qytetarë.
Prania e koronavirusit të ri për herë të parë u konfirmua në fund të dhjetorit 2019 në Kinë dhe më pas u përhap edhe në pjesë të tjera të botës, duke shtyrë kështu Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të shpallë gjendjen e pandemisë, e cila më vonë u ul në nivelin endemik.