Raporti i KDI-së për furnizimin e Hemodializës nga Ministria e Shëndetësisë, ka konfirmuar raportimet e Gazetës Shneta lidhur me parregullsitë që janë bërë në dy kontratat me procedura të negociuara, si dhe për blerjen e produkteve me çmime deri në 200 për qind më shtrenjtë sesa çmimet e tregut
Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar sot raportin e monitorimit të prokurimit publik në Ministrin e Shëndetësisë me titull “Furnizim me material shpenzues për Hemodializë”. Në këtë raport janë analizuar çmimet e produkteve të hemodializës para vitit 2018 dhe çmimet në tri kontratat e fundit në vitin e kaluar, shkruan Gazeta Shneta.
Autorja e raportit Liridona Behrami ka deklaruar se MSH ka thyer monopolin e kompanisë “Meditech”, e cila për 20 vite rresht kishte bërë furnizimin e hemodializës me materiale dhe produkte medicinale. Sipas këtij raporti, kontrata e parë me procedurë të hapur në vitin 2018 e ndarë në 6 llote kishte arritur të ulë çmimet e produkteve sikurse në rastin e Koncentratit pluhur Acidik nga 65 euro në vetëm 1.70 euro.
Ndonëse është arritur të ulen çmimet në kontratën e hapur, në dy kontratat vijuese të cilat janë realizuar me procedura të negociuara, çmimet sërish kanë pësuar ngritje e madje deri në 200 për qind. Raporti i KDI-së ka konfirmuar edhe shkrimet e Gazetës Shneta për blerjen e këtyre produkteve nga MSH me çmime më të shtrenjta edhe nën drejtimin e Uran Ismailit, i cili ishte zotuar se ka ndaluar një gjë të tillë.
Vazhdon skandali me barna, MSH vitin e kaluar bleu barna me çmim 300 për qind më shtrenjtë
Raporti poashtu thekson se MSH kishte ftuar në negocim vetëm një operator ekonomik, me çka kishte shkelur ligjin dhe nuk e kishte shfrytëzuar konkurrencën e tregut për të arritur çmimin më të volitshëm. Poashtu kontrata ishte nënshkruar vetëm nga zyrtari i prokurimit, ndonëse ishte me vlerë të madhe për çka Ligji i Prokurimit kërkon që të nënshkruhet edhe nga Sekretari i ministrisë apo vet ministri.
Raporti rekomandon MSH-në që të sigurohet që procedurat e prokurimit të iniciohen me kohë në mënyrë që të mos krijohen emergjenca dhe të shmangen procedurat e negociuara. /Gazeta Shneta/