Më shumë se 4,000 raste janë raportuar në Bashkimin Evropian dhe vendet përreth gjatë viteve 2013–2023.
Një kërpudhë rezistente ndaj barnave po përhapet “me shpejtësi” në spitalet e Evropës, ndërsa autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për masa shtesë për ta mbajtur nën kontroll.
Kërpudha Candidozyma auris ose C. auris përhapet lehtësisht në klinika dhe shpesh i shpëton trajtimeve mjekësore që synojnë ta shkatërrojnë, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Infeksionet mund të jenë serioze, sidomos për pacientët që janë tashmë të sëmurë, sipas raportit më të fundit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC)
Sipas ECDC, mbi 4,000 raste janë raportuar në BE dhe në vendet fqinje gjatë viteve 2013–2023, me një rritje të ndjeshme me kalimin e kohës.
Spanja, Greqia, Italia, Rumania dhe Gjermania kanë regjistruar numrin më të madh të rasteve, ndërsa Qiproja, Franca dhe Gjermania kanë raportuar shpërthime të fundit. Vetëm në vitin 2023, kjo kërpudhë – e njohur më parë si Candida auris – u identifikua në 18 vende.
“Në disa pjesë të Evropës, C. auris është aq e përhapur saqë nuk mund të flasim më për shpërthime të veçuara; ajo është pothuajse endemike në spitalet,” tha Diamantis Plachouras, drejtues i ekipit të ECDC për rezistencën ndaj antimikrobikëve dhe infeksionet e lidhura me kujdesin shëndetësor, gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, numri real i rasteve ka gjasa të jetë më i lartë se ai i raportuar. Nga 36 vendet evropiane të përfshira në raport, vetëm 17 kanë programe kombëtare monitorimi për C. auris dhe vetëm 15 kanë udhëzime specifike për parandalimin ose kontrollin e infeksioneve.
Aftësia e kërpudhës për të mbijetuar në sipërfaqe dhe pajisje mjekësore, si dhe për t’u përhapur shpejt mes pacientëve, e bën atë veçanërisht të vështirë për t’u kontrolluar, theksoi ECDC.
Ndërsa të infektuarit mund të shfaqin temperaturë dhe të dridhura, C. auris nuk ka një grup simptomash tipike. Shenjat varen nga vendi i infektimit – në gjak, plagë apo veshë. /Gazeta Shneta/




